Organizata joqeveritare Qendra për Avokim të Kulturës Demokratike (ACDC) organizoi konferencën me temën: “Gjyqësori në Veri të Kosovës: Sfidat, Përfaqësimi Institucional dhe Perspektivat e Rikthimit”.
Konferenca mblodhi përfaqësues të institucioneve të drejtësisë, Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës, prokurorive e përfaqësues tjerë, me qëllim të hapjes së një dialogu profesional mbi funksionimin e sistemit gjyqësor në veri të Kosovës pas largimit të gjyqtarëve, prokurorëve dhe stafit administrativ nga komuniteti serb.
Shefi i Seksionit të Drejtësisë në UNMIK, Andrea Lako, tha se pavarësisht sfidave, investimet në sistemin gjyqësor kanë fuqizuar besimin në institucionet e drejtësisë.
“Integrimi mbetet një nga prioritetet kryesore të UNMIK-ut. Një sistem gjyqësor që pasqyron diversitetin e Kosovës është thelbësor, jo vetëm për përmirësimin e qasjes në drejtësi për të gjitha komunitetet, por edhe për nxitjen e besimit, forcimin e marrëdhënieve ndëretnike dhe kontributin në stabilitetin afatgjatë”, tha Lako.
Drejtori Ekzekutiv i ACDC-së, Dushan Radakoviq, tha se kthimi në institucione mbetet jetik dhe se angazhimi i kuadrove të rinj nga komuniteti serb në veri do të ishte një hap i rëndësishëm.
“Mendoj se kthimi i njerëzve në punë është i rëndësishëm, pasi ky proces mund të nxisë edhe rikthimin e një numri të policëve dhe të rikthejë besimin e komuniteteve në veri ndaj institucioneve. Ligji është i njëjtë për të gjithë, pavarësisht se për kë bëhet fjalë. Institucionet janë ato që duhet t’u shërbejnë dhe t’i ndihmojnë qytetarët. Sistemi gjyqësor dhe ai prokurorial janë ndër institucionet kryesore të shtetit”, theksoi ai.
Kjo konferencë u tha se ofron gjithashtu mundësi për shkëmbimin e mendimeve dhe përvojave ndërmjet akterëve relevantë, identifikimin e pengesave kryesore dhe forcimin e besimit në sistemin e drejtësisë.
Burimi: botasot.info


