Java e ardhshme pritet të karakterizohet nga lëvizje të mëdha politike, ku më e pritshmja mbetet ndryshimi i kabinetit qeveritar një ngjarje kjo që pritet të ndodhë në Asamblenë e Partisë Socialiste që do të mbahet më 11 shtator.
Për të kuptuar më shumë mbi lëvizjet e ministrave dhe fokusit të qeverisë “Rama” tashmë në mandatin e katërt të saj, e ftuar në studion e lajmeve në “Ora News” ishte analistja Arsejda Gjyli.
“Nisur nga ato pak të dhëna që kemi deri tani për mënyrën se si do të strukturohet qeveria, apo mënyra se si është mobilizuar qeveria për këto strukturime dhe për të administruar mandatin e katërt, synimi dhe fokusi i saj në mandatin e katërt është i gjithë rrugëtimi në Bashkimin Evropian dhe i gjithë fokusi i qeverisë por edhe i Partisë Socialiste është administrimi i situatës për integrimin e vendit drejt BE-së.
Dhe e gjithë mënyra se si do të ndërtohet qeveria do të jetë e bazuar tek ky mision që është historik për Shqipërinë. Dhe tashmë e futur në një proces që ecën në mënyrë të përshpejtuar, atëherë edhe e gjithë qeveria duhet të ecë mbi këtë bazë teknikalitetesh dhe nevojash që do të kërkojë procesi i integrimit të vendit në BE dhe si pasojë e reformave mbi bazë integrimin ku tashmë qeveria është futur.
Dhe mund të themi që puna për këtë ka filluar që në verë dhe nuk ka patur pushim për qeverinë, PS-në dhe vetë kryeministrin Edi Rama, por ka pasur një aksion që ka treguar pikënisjen e reformimit dhe ka treguar që Shqipëria nuk ndalet, por është gati edhe nga të gjitha raportet e ndërkombëtarëve, ku thuhet se Shqipëria po ecën përpara në rrugën e duhur.
Ndaj e gjithë lëvizja në qeveri do të shkojë mbi bazën e kësaj logjike dhe mendoj se në këtë kuadër në qeverinë e re mund të kemi afrimin e teknicienëve sipas fushave përkatëse”, u shpreh ndër të tjera analistja Arsejda Gjyli.
Burimi: botasot.info


