Në gjykimin ndaj të akuzuarve Valmir Hajrullahu, Freskim Buqaj dhe Saranda Dobruna, të cilët akuzohen për mashtrim, të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë u dëgjua dëshmitari Egzon Agushi, i cili tha se ndihet i mashtruar dhe i dëmtuar.
“Të mashtruar e të dëmtuar”, tha Agushi.
Në këtë rast, Valmir Hajrullahu, Freskim Buqaj dhe Saranda Dobruna, po akuzohen për organizim të skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm dhe mashtrim. Tre të akuzuarit ngarkohen se kishin themeluar organizatën joqeveritare Qendra për Avokim dhe Diplomaci (QAD) dhe kishin mashtruar fermerë për kinse ofrim të subvencioneve, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Agushi tha se kishte aplikuar në organizatën QAD për pajisje të bletarisë dhe se sipas kontratës shuma e projektit ishte mbi 28 mij euro dhe se personalisht kishte participuar në vlerën prej mbi 7 mijë euro apo 35 për qind e projektit.
Gjithashtu, dëshmitari Agushi tha se të akuzuarit Hajrullahu dhe Buqaj kanë qenë shefa të QAD dhe se projekti i fituar nuk ishte realizuar asnjëherë.
Po ashtu, ai theksooi se punët për kompletim të dokumenteve i ka bërë personi Fidan Krasniqi, por se kontrata ishte nëshkruar nga Hajrullahu në një dhomë tjetër.
Dëshmitari tha se e ka kuptuar se është i dëmtuar pasi që projekti nuk kishte filluar sipas kontratës të realizohet dhe se nga personi Krasniqi i ishte thënë se me të përfunduar personat përfitues të mëhershmëm do të vijohet me projektin e tij.
Dëshmitari Agushi shtoi se në zyrat e organizatës QAD në Hotelin Grand kishte parë edhe të akuzuarin Buqaj por jo edhe Dobrunën.
Agushi tha se përmes Krasniqit ka kërkuar takim me Buqajn dhe Hajrullahun, por se nuk ka mundur t’i takojë pasi i ishte thënë se nuk gjenden në zyrë.
Po ashtu, Agushi tha nuk i kujtohet nëse brenda kontratës është paraparë kompensimi për mosrealizim të projektit.
Paraprakisht, në këtë seancë u dëgjua dëshmitari Naim Xhemajli i cili tha se kishte fituar nga QAD projektin për mbjellje të mjedrave. Tha se vlera e projektit ishte mbi 14 milionë euro dhe se personalisht kishte investuar mbi 3 mijë euro. Sipas Xhemajlit, kontrata është nënshkruar në zyrat e organizatës QAD dhe se nënshkrues ishte personalisht dhe vetë organizata QAD Po ashtu, ai tha se projekti sipas grantit nuk ishte realizuar.
Gjithashtu edhe dëshmitari Naim Makolli tha se kishte fituar grant për mbjellje të 60 ari arra dhe se vetë personalisht ka investuar diku 1 mijë e 500 ose 2 mijë euro.
Makolli tha se kontrata për investim ishte nënshkruar nga vëllai i tij, ndërkaq pagesat i kishte bërë personalisht.
Gjithashtu, Makolli tha se projekti i tij ishte ndoshta më i vogli në krahasim me projektet tjera dhe se në zyrat e QAD ishte dy ose tri here.
Me pas, seanca u ndërpre për të vazhduar gjatë muajit tetor.
Ndryshe, qysh në fillim të seancës, gjykata dënoi mbrojtësin e të akuzuarit Hajrullahu, avokatin Musa Damati me 500 euro gjobë për mosrespektim të orarit të gjykimit.
Kjo lëndë më parë ishte duke u gjykuar nga gjykatësi Sh.H, por meqë i njëjti ka ndërruar jetë, tani ky rast gjykohet nga gjyqtari Agim Kuçi kryetar dhe anëtarët: Medije Bytyqi dhe Gent Beka.
Në këtë rast, me parashtresë të datës 21 janar 2020, prokurori Arian Gashi kishte bërë precizimin e aktakuzës sa i përket të dëmtuarve, ku si të dëmtuar paraqiten edhe Feriz Bytyqi, Arsim Leci, Nazmir Piraj, Arsim Leci, Shkelzen Pantina, Shpëtim Lajqi, Shyqeri Skenderi dhe Xhavit Alshiqi.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 29 mars 2017, kishte ngritur aktakuzën ndaj Valmir Hajrullahut, Freskim Buqaj dhe Saranda Dobrunës për veprat penale “Organizmi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm” dhe “Mashtrim”.
Tre të akuzuarit ngarkohen se kishin themeluar organizatën joqeveritare “Qendra për Avokim dhe Diplomaci” (QAD) dhe kishin mashtruar fermerë kinse kishin ofruar subvencione, për të cilët të dëmtuarit kishin participuar me vlerën në mes 25 dhe 30% të kërkesës. Sipas aktakuzës, ata nuk e kishin përmbushur obligimin e participimit të tyre të premtuar, duke përfituar në mënyrë të kundërligjshme shumë të mëdha të parave, vlera e të cilave kishte arritur rreth 600 mijë euro.
Burimi: botasot.info


