Gjykata Kushtetuese e Kosovës tha se deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të zgjedhin kreun e ri të organit ligjvënës përmes votimit të hapur. Konstituimi i Kuvendit duhet të përmbyllet brenda 30-ditësh. Emri i një kandidati, sipas vendimit, mund të hidhet në votim vetëm deri në tri herë.
Vendimi është mirëpritur nga partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë, por është kritikuar nga partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje, e cila tha se “kjo nuk është drejtësi”, por “arbitraritet klientelist”.
Mirëpo, që nga 8 gushti ende nuk dihet se si duhet të veprohet më tej, derisa Kuvendi ende nuk ka thirrur asnjë seancë konstituive.
Deri tani, nuk dihet se kur pritet të publikohet aktvendimi i plotë i Kushtetueses.
Kushtetuesja: Aktgjykimi do të publikohet pasi që të përfundojnë të gjitha procedurat
E për këtë çështje, “Bota sot” ka kontaktuar Gjykatën Kushtetuese në lidhje me atë se çka pritet të ndodhë më tej.
Në përgjigjen, e Zyrës për Informimi të Kushtetuese, thanë se, aktvendimi i plotë do të publikohet posa të përfundojnë të gjitha procedurat që parashihen me ligj dhe rregullore të Gjykatës.
“Aktgjykimi i Gjykatës në rastin KO193/25 dhe KO196/25 do të publikohet pasi që të përfundojnë të gjitha procedurat e parashikuara me Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe me Rregulloren e punës së Gjykatës përkitazi me publikimin e vendimeve.
Pas finalizimit të tekstit, aktgjykimi do t’u dërgohet të gjitha palëve të përfshira në rast, do të publikohet në ueb-faqen e Gjykatës dhe i njëjti do të dërgohet për publikim edhe në Gazetën Zyrtare”, thuhet në përgjigjen e Kushtetueses për “Bota sot”.
Curri: Situata është mjaft e qartë, mungon vullneti politik për të proceduar me konstituimin
Kurse, në lidhje me vonesën e publikimit të aktvendimit të plotë të Kushtetueses, foli ehde avokati Agron Curri.
Fillimisht, tha se i duhet partisë fituese të ndryshojë dhe të bëj kompromise politike me partitë e tjera.

“Ndryshim të qasjes nga partia e parë mund të pritet vetëm nëse ajo e vlerëson se moskonstituimi i Kuvendit po ndikon drejtpërdrejt në mbështetjen e saj elektorale. Përndryshe, sjellja e deritanishme tregon se kjo çështje nuk ka qenë prioritet për ta, dhe gjasat për të vazhduar me këtë qasje janë të larta”.
Krahas kësaj, avokatipërmendi edhe rrezikun që i kanoset vendit nga kjo bllokadë dhe nga këto manovrime politike.
“Situata është mjaft e qartë, mungon vullneti politik për të proceduar me konstituimin. Çështja nuk lidhet vetëm me kandidaten aktuale për kryetare të kuvendit, e cila është e papranueshëm për partitë e tjera, pasi partia e parë ka mundësi të propozojë edhe kandidatë të tjerë që mund të hasin në të njëjtën kundërshti. Kjo krijon rrezikun që procesi të mbetet në një rreth të mbyllur pa zgjidhje, duke hapur hapësirë për manovrime politike, fajsim të njëri-tjetrit në vend të një zgjidhjeje institucionale”, përfundoi Agron Curri për “Bota sot”.
Burjani: Është e çuditshme se si partitë politike rrinë kot, duke mos e shfrytëzuar as afatin dhe as mundësinë që jep Gjykata për të gjetur një zgjidhje
Kurse, juristi Blerim Burjani tha se në rastin e konstituimit të Kuvendit, Kushtetuesja po përdor disa taktika, ku qëllim ka thjeshtë shtyrjen e kohës.

Në këtë pikë, ai në prononcimin për “Bota sot” u shpreh i befasuar se si partitë nuk po i shfrytëzojnë afatet e kësaj gjykate.
“Gjykata, realisht, po vepron me taktika – edhe ajo, si institucion që ofron copëza ligjore, afate, njëherë jep kohë prej disa ditësh dhe ndalon punën e Kuvendit, pastaj jep përsëri afat 30-ditor, duke krijuar hapësirë për marrëveshje politike. Vendimi i Gjykatës në këto raste është thjesht shtyrje kohe, asgjë më tepër
Skenar pa marrëveshje nuk ka – edhe kjo tashmë dihet. Është e çuditshme se si partitë politike rrinë kot, duke mos e shfrytëzuar as afatin dhe as mundësinë që jep Gjykata për të gjetur një zgjidhje”, nënvizoi juristi.
Krahas kësaj, ai foli edhe për skenarët që mund të ndodhin, derisa tha se duhet sa më shpejt të publikohet aktvendimi i plotë i Kushtetueses për këtë çështje.
“Gjykata duhet, sa më parë, të publikojë vendimin e saj të plotë në Gazetën Zyrtare, për të hapur rrugën e përpjekjeve politike pa vonesa.
Skenarë të mundshëm ka gjithmonë, por ajo që mungon është vullneti politik – dhe kjo dihet tashmë: dikush duhet të lëshojë pe, si nga opozita, ashtu edhe nga pozita. Nëse vërtet ia duan të mirën shtetit, duhet të veprojnë, por edhe t’i tregojnë VV-së se nuk mund të fyejnë subjektet e tjera politike dhe qytetarët, e pastaj të thonë “ishte fushatë”.
Duhet pasur më shumë kujdes me fjalorin”, përmbylli Blerim Burjani për “Bota sot”.
Kujtojmë se, deputetët e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit kishin shpërfillur një vendim të Kushtetueses, i cili u dha afat deri më 26 qershor të konstituonin organin ligjvënës. Pas kësaj, gjykata vendosi masë të përkohshme, deri në shqyrtimin e lëndëve të dërguara nga PDK-ja dhe LDK-ja, të cilat i bashkoi në një lëndë të vetme.
Nga 15 prilli deri më 26 korrik, deputetët mbajtën 54 vazhdime të seancës, por dështuan që ta konstituonin organin ligjvënës.
Burimi: botasot.info


