Gjatë javës së ardhshme Komisioni për Zgjedhje dhe Emërime do të nis procedurën për zgjedhjen e gjyqtarit të nëntë kushtetues pasi Gocë Naumovski paraprakisht dha dorëheqje.
Kryetari i Komisionit, Gjorgjija Sajkovski shkurt për Alsat tha se zgjedhja do të bëhet nga radhët e juristëve me emër, megjithatë, nuk tha emër konkret se cilin do ta propozojnë. Pas votimit në Komision, emri i gjyqtarit duhet të votohet edhe në seancë plenare, me shumicë votash. Ndërkohë Gjykata Kushtetuese pritet t’i rikthehet punës në mes të muajit shtator, ndërsa nuk dihet fati për lëndën më të nxehtë, atë për Ligjin për Përdorimin e Gjuhëve.
Gjykata nuk mund të vendos për lëndën, derisa përbërja e panelit të gjyqtarëve kushtetues nuk është e plotë. Zgjedhja e gjyqtarit të ri nga ana e Kuvendit do të hapte rrugën për të mbajtur fillimisht seancën përgatitore dhe pastaj për të vendosur nëse do të preket ose jo Ligji për Përdorimin e Gjuhëve.
Nëse deri në janar të vitit të ardhshëm nuk vendoset, atëherë vendimi për lëndën rrezikon të shtyhet për afat të pacaktuar pasi gjyqtarët Darko Kostadinovski dhe Osman Kadriu përfundojnë mandatin, kështu që gjykata sërish do të punojë me numër gjyqtarësh më të vogël. /Alsat.mk
Burimi: lajmpress.org


