Zemërimi i Elon Musk-ut me Bashkimin Europian nuk fashitet: Manjatit nuk i del e keqja me gjobën prej 120 milionë eurosh që BE-ja i vendosi platformës së tij X, dhe këtë e tregoi qartë me postimin e tij të fundit, ku Brukselin e quante “Rajhu i katërt”.
Kreu i Teslës ripostoi një foto me flamurin blu të unionit, cep i ngritur i të cilit ekspozonte poshtë një flamur me svastikën naziste dhe me komentin lakonik, me të cilin nënkuptonte se në thelb janë e njëjta gjë. Më herët sakaq, u ishte drejtuar 230 milionë ndjekësve të tij në internet me pretendimet se BE-ja duhet të “shfuqizohet fare” dhe sovraniteti t’i kthehet shteteve individuale.
Gjoba kundër X ishte e para e vendosur nga Komisioni Europian sipas Aktit të Shërbimeve Dixhitale, DSA, lidhur me përmbajtjen. Komisioni doli në përfundimin se platforma ishte fajtore për shkelje të detyrimit të DSA-së për transparencë. Shkeljet përfshijnë modelin mashtrues të “shenjës blu të kontrollit” të saj për llogaritë që supozohet se janë verifikuar dhe dështimin për të siguruar akses në të dhëna publike për studiuesit.
Sipas Komisionit Europian, X gjithashtu nuk kishte arritur të ishte mjaftueshëm transparent në lidhje me reklamat e tij.
Top Channel
Burimi: top channel


