Gjenerali i lartë i Sudanit hodhi poshtë një propozim për armëpushim të ofruar nga ndërmjetësit e udhëhequr nga SHBA-të, duke e cilësuar si “më të keqin deri më tani”, në një goditje ndaj përpjekjeve për të ndaluar një luftë që ka përfshirë vendin afrikan për më shumë se 30 muaj.
Në një video të publikuar të hënën gjenerali Abdel-Fattah Burhan tha se propozimi ishte i papranueshëm, duke akuzuar ndërmjetësuesit se janë “të anshëm” në përpjekjet e tyre për t’i dhënë fund luftës.
Ndërkohë, Sudani u zhyt në kaos në prill të vitit 2023 kur një luftë për pushtet midis ushtrisë dhe Forcave të fuqishme paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë shpërtheu në Khartum.
Sakaq, lufta ka vrarë më shumë se 40,000 njerëz, sipas shifrave të OKB-së. Ajo tregon se kjo luftë krijoi krizën më të madhe humanitare në botë me mbi 14 milionë njerëz të detyruar të largoheshin nga shtëpitë e tyre, nxiti shpërthime sëmundjesh dhe i shtyu pjesë të vendit në uri.
Këtë muaj, Presidenti Donald Trump tha se planifikon t’i kushtojë më shumë vëmendje ndihmës për t’i dhënë fund luftës në Sudan, pasi Princi i Kurorës Saudite, Mohammed bin Salman, iu bë thirrje të ndërmerrte veprime gjatë vizitës së tij në Shtëpinë e Bardhë.
Massad Boulos, një këshilltar amerikan për çështjet afrikane tha se propozimi i fundit bën thirrje për një armëpushim humanitar tremujor, i ndjekur nga një proces politik nëntëmujor. RSF tha se ka rënë dakord për armëpushimin, pas zemërimit global për mizoritë e paraushtarakëve në qytetin el-Fasher të Darfurit.
Burimi: botasot.info


