Deputeti i Partisë Demokratike, Agron Gjekmarkaj, njëkohësisht nënkryetari i parlamentit, akuzoi nga foltorja e Kuvendit qeverinë për aferat korruptive dhe për manipulimin e zgjedhjeve të 11 majit.
Ai tha se e vërteta e zgjedhjeve po del sot nga tuneli i Llogarasë, ku të pandheur janë zv/kryeministrja Belinda Balluku, qeveria dhe vetë mazhoranca.
Ai vuri në dukje se jeta e qytetarëve është në rrezik, demokracia ka rënë, krimi mbizotëron dhe bashkëpunon me qeverinë. Deputeti nënvizoi se “demokracisë shqiptare i është bërë atentat”.
“Flas për t’i dhënë zë guximit tuaj moral, qartësisë politike dhe përgjegjësisë ndaj të vërtetës për të mbështetur qeverinë tuaj Rama-Balluku. Sot e pandehur është e gjithë qeveria, e pandehur e gjithë mazhoranca, që s’gjen fuqinë morale. Ju sot spostuat raportimin e KQZ, por jo raportin përfundimtar të OSBE-ODIHR, që ju rri në kokë si xhebraili. Ai është akt ndërkombëtar ku konfirmohet se demokracisë shqiptare iu bë atentat, atentatorët janë sot këtu pas dhe para meje, zgjedhjeve iu bë atentat”, tha Gjekmarkaj.
Ai theksoi se në fytyrat e mazhorancës aktualisht ka frikë dhe tmerr, ku shteti është kapur nga partia dhe të vërtetat dalin nga tuneli i Llogarasë.
“Në fytyrat tuaj ka tmerr. E vërteta e zgjedhjeve po del nga tuneli i Llogarasë dhe po rri këtu këmbëkryq, qeveria juaj ka rënë. Pafuqia juaj për të qenë të ndershëm, zaptim i parasë, paaftësi e juaj morale që e ka kthyer Shqipërinë në tokën e askujt”, vijoi ligjvënësi demokrat.
Nënkryetari i parlamentit vuri në dukje monopolizimin e jetës në Shqipëri, presionet, patronazhistët dhe ku shteti është bërë parti.
“Kjo që ndodh në Shqipëri është deformim, deformim i votës, frikë për vendin e punës, patronazhim dhe kjo është e rëndë. Ky nuk është shtet i qytetarëve, por shtet i partisë. Ne kërkojmë zgjedhje të lira e të ndershme, institucione të pavarura, për dinjitetin e shqiptarëve dhe Republikën e Shqipërisë”, tha Gjekmarkaj mes të tjerash.
Burimi: botasot.info


