Kryetari i Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA), Abdullah Eren, tha se TIKA prej 20 vitesh ka realizuar në Maqedoninë e Veriut më shumë se 1.300 projekte me njeriun në qendër.
TIKA realizon projekte dhe aktivitete në 150 vende, përmes 63 Zyrave të Koordinimit të Programeve në 61 vende, në fusha si arsimi, shëndetësia, restaurimi, zhvillimi bujqësor, financat, turizmi dhe industria.
TIKA, e cila zhvillon aktivitete edhe në vendet e Ballkanit, po shënon 20-vjetorin e pranisë së saj në Maqedoninë e Veriut.
Në kuadër të kontakteve në kryeqytetin Shkup, me rastin e “21 Dhjetorit – Dita e Arsimit në Gjuhën Turke” dhe 20-vjetorit të Zyrës së Koordinimit të Programeve të TIKA-s në Shkup, Eren dha për Anadolu vlerësime lidhur me kontaktet e tij dhe aktivitetet e TIKA-s.
Eren theksoi se nga viti 2005 e deri më sot, TIKA ka realizuar në Maqedoninë e Veriut mbi 1.300 projekte me njeriun në qendër, duke shtuar se këto projekte janë zbatuar në mënyrë që të përfshijnë maqedonasit, shqiptarët, turqit dhe të gjitha grupet e tjera etnike në vend.
– “Kontributi që komuniteti turk ka dhënë për stabilitetin dhe prosperitetin e këtij vendi është i pamohueshëm”
Duke theksuar se në kuadër të aktiviteteve të realizuara janë restauruar edhe 15 monumente osmane, Eren tha: “Diversiteti kulturor specifik i Maqedonisë së Veriut është jashtëzakonisht i çmuar dhe ne rekomandojmë fuqishëm që të gjitha komunitetet që jetojnë këtu ta përqafojnë këtë vend. Në këtë kuptim, kontributi që komuniteti turk, që nga themelimi i Maqedonisë së Veriut, ka dhënë për stabilitetin dhe prosperitetin e vendit është i pamohueshëm”.
Eren theksoi se Turqia është një faktor stabiliteti në Ballkan dhe vuri në dukje se në marrëdhëniet me vendet e Ballkanit, si Shqipëria, Bosnjë e Hercegovina, Serbia dhe Maqedonia e Veriut, Turqia ndjek një qasje që vë në plan të parë mirëqenien e këtyre vendeve dhe stabilitetin rajonal.
“Gjatë ofrimit të ndihmës për zhvillim, prioriteti më themelor i TIKA-s është të marrë parasysh nevojat bazë të vendit ku ofrohet ndihma dhe të zhvillojë projekte në përputhje me to. Prandaj, së pari shqyrtojmë planet zhvillimore të vetë vendit ku zbatojmë projekte zhvillimi. Në ndihmën zhvillimore të TIKA-s, njeriun e vendosim në qendër. Jemi të orientuar nga kërkesa, veprojmë shpejt dhe jemi të fokusuar te rezultatet”, tha Eren.
“Motivimi kryesor është marrëdhënia e veçantë që Maqedonia e Veriut ka me Turqinë. Shohim se të gjitha projektet tona këtu përqafohen nga popullsia lokale, politikanët dhe bashkëbiseduesit tanë. Kjo na bën shumë të lumtur. Kemi një histori të përbashkët dhe trashëgimi kulturore. E dimë se Perandoria Osmane për shumë vite ka vendosur rend në këto troje”, shtoi ai.
– TIKA në Maqedoninë e Veriut ka kontribuar në jetën e 150 mijë nxënësve
Eren tha se mbi 1.300 projektet e realizuara deri më sot janë përqendruar kryesisht në fushat e arsimit, shëndetësisë, bujqësisë dhe blegtorisë, duke theksuar se është e nevojshme forcimi i infrastrukturës arsimore dhe shëndetësore të vendit.
Duke tërhequr vëmendjen se migrimi është një problem shumë themelor për Maqedoninë e Veriut, Eren u shpreh: “Me projekte që gjenerojnë të ardhura, veçanërisht në fushën e bujqësisë, blegtorisë dhe prodhimit në sera, synojmë të sigurojmë që popullsia të qëndrojë këtu dhe të parandalohet migrimi”.
Eren theksoi se 422 nga projektet e realizuara janë në fushën e infrastrukturës arsimore dhe se me to është prekur drejtpërdrejt jeta e rreth 150 mijë nxënësve.
Duke vënë në dukje se ndodhemi në një periudhë kur teknologjia po ndryshon me “një shpejtësi marramendëse”, Eren tha se po zhvillohen punë serioze për përdorimin e inteligjencës artificiale në diplomacinë publike.
“Në inteligjencën artificiale patjetër duhet të arrijmë një qasje komunikimi që vendos informacionin në qendër dhe parandalon dezinformimin”, tha ai.
Duke theksuar se ekziston një monopolizim në platformat e mediave sociale me teknologji të lartë, Eren e vlerësoi platformën NSosyal, të themeluar nga kryetari i Bordit Drejtues të Baykar-it, Selçuk Bayraktar, si një nismë të rëndësishme.
Eren kujtoi se marrëdhëniet Turqi-Maqedoni e Veriut janë në nivel strategjik që nga viti 2008, duke shtuar se Presidenti Recep Tayyip Erdogan i kushton rëndësi të veçantë këtij vendi.
Kreu i TIKA-s shtoi gjithashtu se në kuadër të kontakteve të tij në vend është takuar me Presidenten Gordana Siljanovska-Davkova, Kryetarin e Kuvendit, Afrim Gashi dhe Ministrin e Kulturës dhe Turizmit Zoran Ljutkov, duke theksuar se ekziston një bashkëpunim shumë i mirë me institucionet lokale.
Burimi: alfax.mk


