Gazetarja dhe reporterja e njohur ndërkombëtare, Christiane Amanpour, ka reaguar pas nderimeve që iu bënë në Serbi ish-komandantit serb të Bosnjës, Ratko Mladiq, i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Amanpour, e cila ka raportuar nga afër luftën në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe krimet e kryera gjatë saj, ka shprehur zhgënjimin e saj për mënyrën se si është nderuar Mladiqi në Serbi.
“Duke i raportuar krimet monstruoze të Mladiqit në kohë reale, kisha guxuar të shpresoja se Serbia nuk do ta bënte këtë. Kisha shpresuar se ëndrrat e të rinjve të sotëm serbë për t’iu bashkuar Evropës, për të qenë pjesë e klubit të demokracisë dhe të të drejtave të njeriut, do të sillnin një element të arsyes së shëndoshë, moralit dhe përmbajtjes”, ka shkruar Amanpour.
Ajo ka ngritur pikëpyetje nëse Serbia po zgjedh të identifikohet me figurat e dënuara për krime të rënda.
“Por, a duhet tani të arrijmë në përfundimin se kjo është ajo që Serbia dëshiron të jetë? Një shtet i rreshtuar me dhe që nderon një kriminel lufte të dënuar, një vrasës masiv, fajtor për krimin më të rëndë të mundshëm: gjenocidin”, ka deklaruar ajo.
Amanpour ka kritikuar edhe institucionet serbe dhe Kishën Ortodokse Serbe për lejimin e nderimeve.
“Si mundi sistemi, përfshirë edhe kishën, ta lejonte këtë?”, ka shkruar gazetarja.
Kush është Christiane Amanpour?
Christiane Amanpour është gazetare dhe reportere ndërkombëtare britaniko-iraniane, e lindur në Londër në vitin 1958. Ajo është një nga figurat më të njohura të gazetarisë ndërkombëtare dhe një prej gazetareve kryesore të CNN.
Gjatë karrierës së saj, Amanpour ka raportuar nga disa prej zonave më të rrezikshme të konfliktit në botë. Ajo ishte ndër gazetaret që mbuluan nga afër luftën në Bosnjë dhe Hercegovinë dhe zhvillimet gjatë luftës në Kosovë.
Përvoja e saj si korrespondente në këto konflikte e ka bërë atë një prej zërave të njohur ndërkombëtarë në raportimin për luftërat në ish-Jugosllavi dhe krimet e kryera gjatë tyre.
Burimi: botasot.info


