Një nga mediat më me ndikim në Serbi, gazeta “Danas”, ka publikuar një artikull të gjerë ku trajton lidhjet e Ali Ahmetit dhe Bashkimit Demokratik për Integrim me kriminelin serb Millan Radojçiç, njeriun që organizoi sulmin terrorist në Banjskë të Kosovës, ku mbeti i vrarë polici Afrim Bunjaku dhe u plagosën disa të tjerë. Në artikullin me titull “Sa është ndikimi i Millan Radojçiçit në rajon?”, gazeta thekson se emri i Radojçiçit po dëgjohet gjithnjë e më shpesh në Maqedoninë e Veriut.
Në të njëjtin shkrim, gazeta “Danas” sjell edhe deklaratën e analistes serbe Rada Trajkoviç, e cila sqaron mënyrën se si Radojçiç ka arritur të zgjerojë bizneset e tij në Maqedoninë e Veriut përmes lidhjeve me ish komandantë e UÇK-së.
“Nëse Radojçiç është pranuar diku në rajon, kjo ka ndodhur vetëm falë lidhjeve të tij me disa liderë shqiptarë të Kosovës. Radojçiç dhe Ramush Haradinaj ishin shumë të afërt, janë nga i njëjti rajon i Kosovës dhe kanë interesa të përbashkëta. Duke qenë se Ali Ahmeti, lideri i BDI-së, është po ashtu ish komandant i UÇK-së dhe mik i Haradinajt, është plotësisht e besueshme që përmes këtyre kanaleve Radojçiç të ketë depërtuar edhe në Maqedoni të Veriut”, ka deklaruar Trajkoviç.
Sipas saj, këto lidhje të vjetra mes ish komandantëve të luftës dhe rrjeteve të interesit ekonomik janë bërë ura që kanë mundësuar futjen e kapitalit dhe kompanive të lidhura me Radojçiçin në tregun e Maqedonisë së Veriut. Trajkoviç përfundon se “garancitë për bizneset dhe kreditë që Radojçiç ka siguruar në rajon, nëse ekzistojnë, janë të mbështetura pikërisht nga këto marrëdhënie të vjetra që asnjëherë nuk janë shkëputur plotësisht.”
Linku i lajmit të plotë në gazetën serbe “DANAS”:
https://www.danas.rs/vesti/politika/koliki-je-uticaj-milana-radoicica-u-regionu/


