Sipas të dhënave zyrtare për vitin 2024, 29,5 për qind e fëmijëve deri në moshën 17-vjeçare në Maqedoninë e Veriut janë të rrezikuar nga varfëria. Shkalla e përgjithshme e varfërisë në vend është 21,9 për qind.
Rritja e çmimeve dhe pagat e pamjaftueshme po e vështirësojnë jetën e mijëra familjeve, të cilat mezi sigurojnë ushqimin, ilaçet dhe pagesën e faturave. Ndërkohë, 38 për qind e fëmijëve përballen me varfëri shumëdimensionale, që ndikon në shëndetin, arsimimin dhe zhvillimin e tyre.
Platforma Maqedonase Kundër Varfërisë kërkon nga Qeveria miratimin e një strategjie kombëtare kundër varfërisë, shtesë universale për fëmijët, mbrojtje më të mirë sociale dhe politika për banim të përballueshëm.
Organizatat qytetare paralajmërojnë se masat e pjesshme nuk mjaftojnë dhe kërkojnë zgjidhje sistematike për kategoritë më të rrezikuara.
„Ulja e varfërisë është vendim politik“, theksojnë nga Platforma, duke kërkuar veprime konkrete për të parandaluar që gjithnjë e më shumë familje të mbeten pa mundësi për të përmbushur nevojat elementare.
Burimi: lajmpress.org


