Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, ka zhvilluar një takim lamtumire me ambasadoren e Zvicrës në Shkup, znj. Veronique Ullmann, ku ka vlerësuar lartë kontributin e saj në forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve.
“Kisha nderin të realizoj një takim lamtumire me Ambasadoren e Zvicrës, Sh.S. znj. Veronique Ullmann, së cilës i shpreha mirënjohjen e përzemërt për përkushtimin dhe mbështetjen e saj në forcimin e marrëdhënieve miqësore dhe bashkëpunimit mes dy vendeve tona”, theksoi Gashi.
Ai nënvizoi rëndësinë e përkrahjes së Zvicrës për institucionet vendase, duke shtuar:
“Vlerësova lartë kontributin e saj për fuqizimin e kapaciteteve parlamentare dhe përkrahjen në projektet e forcimit të demokracisë në vendin tonë.”
Kryeparlamentari i uroi ambasadores suksese në detyrat e saj të ardhshme, duke shprehur bindjen se marrëdhëniet mes dy vendeve do të mbeten të forta.
“I urova shumë suksese në angazhimet e saj të ardhshme, duke shprehur bindjen se miqësia dhe bashkëpunimi mes Maqedonisë së Veriut dhe Zvicrës do të vazhdojnë të thellohen edhe më tej”, u shpreh Gashi.


