Zgjedhjet parlamentare të mbajtura për herë të dytë brenda vitit që lamë pas, sollën ndryshime të theksuara në rezultat. Ndonëse dy palë zgjedhjet nxorën fituese Lëvizjen Vetëvendosje, këto të fundit thelluan edhe tepër fitoren e pozitës, ndërsa opozita që nga 9 shkurti e ‘dëmtuan’ edhe më tutje.
Kështu, Vetëvendosje ka marrë më shumë vende më 28 dhjetor (rreth 56) krahasuar me 48 më 9 shkurt. Lidhja Demokratike e Kosovës ka pasur 20 mandate më 9 shkurt, ndërsa në 28 dhjetor ka rënë në rreth 15 mandate sipas rezultateve paraprake, që nënkupton se disa nga deputetët e saj të zgjedhur në shkurt nuk janë rizgjedhur këtë herë.
Partia Demokratike e Kosovës duket se ka ruajtur një nivel të ngjashëm mbështetje dhe ka mandate të ngjashme, që sugjeron se shumica e deputetëve të saj të zgjedhur në shkurt mund të jenë rizgjedhur ose të mos kenë humbur shumë vende.
NISMA ka pasur mandate më 9 shkurt, por sipas rezultateve paraprake në dhjetor ka dalë pa mandate, që do të thotë se nuk e ka kaluar pragun.
Megjithatë, ende nuk ka rezultatet përfundimtare se kush janë të zgjedhurit e rinj të Kuvendit të Kosovës. Mirëpo, nga ajo që është prezantuar deri më tani, disa nga kandidatët kanë shpallur fitoret e tyre, duke treguar se kanë siguruar një ulëse në Kuvend.
Njohësit e aktualitetit në vend, kanë folur rreth asaj se sa do të ketë ndryshime pozitive tek përfaqësuesit e partive politike.
Bellaqa: Rezultati i zgjedhjeve bindës, pritet normalizim institucional dhe nisje e reformave
Njohësi i çështjeve në vend, Jakup Bellaqa, vlerëson se zgjedhjet e dhjetorit kanë prodhuar një rezultat të qartë dhe bindës, duke krijuar parakushtet për stabilitet institucional dhe funksionim normal të shtetit.
Sipas Bellaqës, pas certifikimit të rezultateve zgjedhore, pritet që me siguri të formohen institucionet qendrore, përfshirë Kuvendin dhe Qeverinë, si dhe të miratohet buxheti për vitin 2026.

“Do të hapet rruga për ratifikimin e marrëveshjeve ndërkombëtare me dy të tretat e votave, çka do të mundësojë normalizimin e jetës institucionale dhe rikthimin e proceseve ekonomike në normalitet”, thekson ai.
Bellaqa vlerëson se ky zhvillim do të krijojë hapësirë për nisjen e reformave të domosdoshme ekonomike dhe sociale, të cilat, sipas tij, kanë munguar në periudhat e mëparshme.
Ai ngre gjithashtu çështjen e përbërjes së re politike, duke theksuar se në këto zgjedhje janë sjellë më shumë fytyra të reja në krahasim me zgjedhjet e shkurtit.
“Si mazhoranca ashtu edhe minoranca kanë sjellë emra të rinj, pasi partitë politike kanë shfrytëzuar potencialin e tyre kadrovik, duke përfshirë profesionistë të profileve të ndryshme”, vlerëson Bellaqa.
Sipas tij, kjo prurje krijon një konfiguracion të ri politik dhe një peizazh ndryshe institucional, krahasuar me zgjedhjet paraprake, duke ofruar mundësi për qasje më funksionale dhe profesionale në qeverisje.
Hebibi: Kuvendi u rifreskua pjesërisht, por politika ende dominohet nga figura të konsumuara
Presidenti i Institutit Shkencor Helvetik të Evropës Juglindore me seli në Zvicër, Ph. D. Dashnim Hebibi, vlerëson se zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë janë zhvilluar në një klimë demokratike shembullore dhe janë vlerësuar pozitivisht si nga qytetarët, ashtu edhe nga shtetet e rajonit dhe institucionet evropiane.
Sipas tij, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka kryer punën në mënyrë profesionale, ndërsa verdikti i qytetarëve tashmë është i qartë dhe i padiskutueshëm.

“Duke krahasuar zgjedhjet e shkurtit me ato të dhjetorit, përbërja e re e Kuvendit ka sjellë disa fytyra të reja dhe deputetë me bagazh profesional, kryesisht nga fusha e arsimit, shoqërisë civile dhe sektorëve bazikë, çka përbën një sinjal pozitiv”, thotë ai.
Megjithatë, ai nënvizon se këto rifreskime nuk janë në nivelin që e kërkon realiteti i Kosovës.
“Kuvendi vazhdon të dominohet nga figura të konsumuara politikisht, të cilat shpesh e shohin mandatin si pronë personale dhe jo si përgjegjësi publike”, vlerëson Hebibi.
Sipas tij, qytetarët kanë dërguar një mesazh të qartë: kërkojnë politikanë të rinj, të dëshmuar me punë konkrete, me karakter dhe ndershmëri, e jo retorikë boshe apo, siç e quan ai, “poezi parlamentare”.
Duke folur për ndikimin e votave të numëruara deri më tani, Hebibi shprehet se priten disa ndryshime pozitive te përfaqësuesit e partive politike, por pa arsye për optimizëm të tepruar.
“Në shumicën e rasteve, qytetarët vazhdojnë të votojnë liderin e partisë dhe jo programin apo ekipin, gjë që dëshmon se partitë politike ende nuk kanë ndërtuar mekanizma të shëndoshë për prodhimin e elitës politike”, thekson ai.
Ai kritikon gjithashtu fenomenin e ashtuquajtur “bërryla politikë” brenda partive, ku gjeneratat e vjetra, sipas tij, nuk u lënë hapësirë të rinjve, edhe kur këta të fundit marrin më shumë vota se deputetët me mandate të përsëritura.
“Kjo qasje i demotivon profesionistët dhe i shtyn të rinjtë e aftë të largohen nga politika ose nga vetë vendi”, paralajmëron Hebibi.
Një tjetër shqetësim, sipas tij, është fakti se disa deputetë, ndonëse fizikisht janë të pranishëm në Kuvend, mendërisht mbeten të lidhur me profesionet e tyre të mëparshme, duke e parë politikën më shumë si status sesa si mision.
“Politika nuk është për këdo. Ajo kërkon përkushtim, modesti dhe etikë publike. Në shtetet evropiane, ministrat dhe deputetët jetojnë normalisht mes qytetarëve dhe përdorin transport publik – sepse modestia është vlerë, jo dobësi”, thekson ai.
Sa i përket rikthimit të figurave nga familje historike, si rasti i familjes Rugova, Hebibi e konsideron këtë çështje të debatueshme, duke nënvizuar se familjet dhe personalitetet emblematike duhet të respektohen si vlera kombëtare, por jo domosdoshmërish të përfshihen në politikë aktive, për të mos u konsumuar simbolikisht.
Në përfundim, Hebibi thekson se Kosova vazhdon të përballet me probleme serioze politike, ekonomike, energjetike dhe sociale. Ai përmend rastet e ndërprerjeve të energjisë elektrike, si ai në Pejë gjatë ndërrimit të moteve, duke theksuar se këto situata godasin drejtpërdrejt ekonominë vendore dhe bizneset e vogla.
“Kosova ka rini të shëndoshë, të arsimuar dhe të suksesshme, brenda dhe jashtë vendit. Do të ishte shumë e shëndetshme për demokracinë që diasporës t’i ofrohen vende të garantuara në Kuvend, në mënyrë që të përfaqësohet drejtpërdrejt”, vlerëson ai.
Sipas Hebibit, ndryshimet nuk ndodhin vetvetiu, por kërkojnë guxim për t’u tërhequr me dinjitet dhe mençuri për t’u hapur rrugë brezave të rinj.
“Është më e ndershme të largohesh me sukses sesa të mbetesh deri në konsumim politik”, përfundon ai.
Burimi: botasot.info


