fyerje per viktimat analistet serbia po nderton narrative te rreme per te mbuluar te kaluaren kriminale 69e11cb5530d2

“Fyerje për viktimat”, analistët: Serbia po ndërton narrativë të rreme për të mbuluar të kaluarën kriminale

April 16, 2026
min lexim

Në Kuvendin e Serbisë është hapur ekspozita kushtuar Njësive Speciale të Policisë dhe komandantit të tyre, Obrad Stevanoviq. Pamjet nga hapja e saj kanë treguar edhe ministrin e Punëve të Brendshme të Serbisë, Ivica Daçiq, ish-zëdhënës i Slobodan Milosheviqit, duke shtrënguar duart dhe duke u buzëqeshur me veteranë, një gjest që është parë si anashkalim i fakteve të dokumentuara për krimet e luftës.

Ky është edhe një veprim tjetër provokues i Serbisë, karshi Kosovës. Serbia me këtë veprim po përpiqet të ndryshoj faktet e luftës në Kosovë.

Ndaj këtij veprimi serb, ka reaguar Organizata e Veteranëve të Luftës e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL UÇK-ja), duke i cilësuar ato si vazhdimësi të “narrativave që rehabilitojnë krimet e luftës”.

“Duke lartësuar figura që lidhen drejtpërdrejt me gjenocidin shtetëror ndaj popullit shqiptar, Kuvendi i Serbisë dëshmon se ky shtet nuk është penduar për të kaluarën e tij kriminale”, thuhet në reagim.

Skënder Zogaj: “Ekspozitat që glorifikojnë strukturat e luftës janë përpjekje për të shtrembëruar të vërtetën historike”

Image

Skënder Zogaj

Analisti politik, Skënder Zogaj në prononcimin e tij për “Bota sot” vlerësoi se ekspozita e hapur në Kuvendin e Serbisë nuk është një aktivitet i zakonshëm, por një mesazh i qëllimshëm politik.

“Ekspozita kushtuar Njësive Speciale të Policisë dhe figurave të kontestuara nuk është thjesht aktivitet ceremonial. Është një përpjekje e qartë për të rehabilituar një aparat të lidhur me krimet e luftës dhe për të deformuar të vërtetën historike,” thekson ai.

Sipas tij, prania e figurave të larta politike në këtë ngjarje e bën mesazhin edhe më të qartë.

“Prania e Ivica Dacciq, ish-zëdhënës i Slobodan Millosheviq, nuk lë vend për dilema. Kemi të bëjmë me vazhdimësi politike dhe mungesë të thellë reflektimi për të kaluarën,” deklaron Zogaj.

Ai shton se kur figura të tilla shfaqen publikisht pa u distancuar nga e kaluara, mesazhi është shqetësues.

“Kur këta individë shfaqen me krenari krah për krah me ish-struktura të akuzuara për krime, mesazhi është i qartë: nuk ka reflektim, por vazhdimësi,” shprehet ai.

Zogaj vlerëson se këto veprime janë të qëllimshme dhe synojnë relativizimin e krimeve të dokumentuara.

“Këto nuk janë veprime të rastësishme. Synohet relativizimi i krimeve dhe ndërtimi i një narrative të rreme, në kundërshtim me faktet e vërtetuara nga mekanizmat ndërkombëtarë të drejtësisë,” thekson ai.

Ai thekson se historia nuk mund të rishkruhet përmes propagandës.

“Historia nuk rishkruhet me ekspozita propagandistike dhe as me ceremoni që glorifikojnë të shkuarën e dhunshme,” deklaron Zogaj.

Në këtë kontekst, ai kërkon reagim më të fuqishëm nga institucionet e Kosovës.

“Institutionet e Kosovës nuk duhet të heshtin. Reagimi duhet të jetë i qartë, i artikuluar dhe i vazhdueshëm. Duhet të denoncohen publikisht përpjekjet për shtrembërim të historisë,” shprehet ai.

Sipas tij, nevojiten hapa konkretë në disa drejtime kyçe.

“Duhet të intensifikohet angazhimi diplomatik për mbrojtjen e së vërtetës dhe të forcohet dokumentimi institucional për krimet e luftës, në mënyrë që ato të mos relativizohen kurrë,” thekson Zogaj.

Në fund, ai nënvizon rëndësinë e ballafaqimit me të kaluarën.

“Ballafaqimi me të kaluarën nuk është çështje zgjedhjeje, por detyrim. Çdo përpjekje për ta anashkaluar apo zbukuruar atë është fyerje për viktimat dhe kërcënim për paqen në rajon,” përfundon ai.

Leon Duhanaj: Harresa dhe përçarja jonë po e dëmtojnë të vërtetën historike më shumë se propaganda serbe

Image

Leon Duhanaj

Kurse, analisti politik, Leon Duhanaj thekson se Serbia nuk ka ndryshuar në thelb qëndrimet e saj ndaj Kosovës, por vetëm mënyrën e paraqitjes.

“Serbia nuk ka ndryshuar në përmbajtje, por vetëm në formë. Retorika është zbutur në sipërfaqe, por thelbi politik dhe strategjik mbetet i njëjtë,” thekson ai.

Sipas tij, në Serbi vazhdojnë të jenë aktive struktura dhe individë të lidhur me të kaluarën e luftës.

“Në Serbi bashkëjetojnë figura të përfshira në krime lufte me përfaqësues të pushtetit aktual. Në shumë raste janë të njëjtët individë ose struktura që nuk janë reformuar kurrë realisht,” deklaron Duhanaj.

Ai kritikon edhe qasjen e komunitetit ndërkombëtar ndaj Serbisë, duke e cilësuar si të butë dhe shpesh joparimore.

“Komuniteti ndërkombëtar, në përpjekje për stabilitet, ka bërë lëshime që tejkalojnë kufijtë e besimit racional. Veprime që nuk përputhen me standardet demokratike janë trajtuar sikur të ishin të tilla,” shprehet ai.

Megjithatë, Duhanaj thekson se përgjegjësia nuk është vetëm e jashtme, por edhe e vetë shoqërisë shqiptare.

“Ne vetë kemi dështuar të ndërtojmë një kulturë të qëndrueshme të kujtesës dhe drejtësisë. Në shumë raste kemi relativizuar luftën dhe krimet, madje kemi kontribuar në dobësimin e narrativës sonë,” thotë ai.

Burimi: botasot.info

VERO

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

IDEAL FILMS

hegseth mojtaba khamenei eshte i plagosur por gjalle 69e11bf093d39
Lajmi i mëparshëm

Hegseth: Mojtaba Khamenei është i plagosur, por gjallë

nisim projektin me be ne per sherbimet parlamentare peleshi takon ambasadorin gonzato 69e11d9e72d02
Lajmi i radhës

‘‘Nisim projektin me BE-në për shërbimet parlamentare”/ Peleshi takon ambasadorin Gonzato

Të fundit nga

ShkoLartë