Nga data 15 korrik e deri më 15 gusht, fshati Sllatinë i Fushë Kosovës do të shndërrohet në një pikë të rëndësishme kulturore me mbajtjen e edicionit të parë të festivalit “Fushë Kosova Fest”. Ky festival i cili do të mbahet në hapësirë të hapur synon të sjellë për një muaj të tërë atmosferë të gjallë, performanca të shumta muzikore dhe argëtim për të gjitha moshat, transmeton KosovaPress.
Në qendër të festivalit do të jenë mbrëmjet muzikore, ku çdo natë do të performojnë artistë dhe DJ të njohur vendorë dhe ndërkombëtarë duke krijuar kështu një skenë dinamike që bashkon ritmet moderne me frymën lokale. Muzika,performancat e ushqimi e pijet do të jenë pjesë e pandërprerë e programit ditor, duke e kthyer këtë festival në një ngjarje të zëshme të verës në Kosovë. Përveç programit muzikor, festivali do të përfshijë edhe një zonë të veçantë me mbi 40 kabina druri, ku biznese të ndryshme do të kenë mundësi të prezantojnë dhe shesin produktet e tyre, nga ushqimet tradicionale e pijet freskuese, deri te artizanalet dhe produktet lokale. Këto kabina do të krijojnë një ambient të ngrohtë e të larmishëm për vizitorët që duan të shijojnë diçka më shumë se vetëm muzikën.
“Fushë Kosova Fest” pritet të ofrojë një përvojë unike për publikun, duke kombinuar artin muzikor, kulturën dhe mikpritjen tradicionale në një hapësirë të hapur që do të jetë e gjallë për 30 ditë rresht.
Festivali organizohet me mbështetjen e komunës së Fushë Kosovës.
Burimi: botasot.info


