Fushata “ÇKA PO BON PËR NEVE?” do të lansohet më 1 tetor 2025, në kuadër të muajit të ndërgjegjësimit për sindromën Down. Kjo nismë synon të mobilizojë qytetarët, institucionet publike dhe private në mbështetje të qëndrueshmërisë financiare dhe ngritjes së fondeve për shërbimet terapeutike dhe sociale për personat me sindromën Down në Kosovë, shërbime të domosdoshme për personat me sindromën Down.
Fushata do të zgjasë deri në muajin dhjetor 2025 dhe do të zhvillohet përmes platformave sociale të Shoqatës Down Syndrome Kosova (DSK). Përmes saj, përveç informimit rreth shërbimeve dhe nevojës për mbështetje financiare, bëhet thirrje e qartë për kontribut dhe solidaritet për të siguruar vazhdimësinë e këtyre shërbimeve jetike për personat me sindromën Down. Donacionet do të mund të realizohen përmes linkut në platformën GoFundMe https://shorturl.at/9JqPr apo përmes llogarive bankare te Shoqatës Down Syndrome Kosova.
Emri i llogarisë: Shoqata Down Syndrome Kosova
ProCredit Bank – IBAN: XK051110242501000152
SWIFT: MBKOXKPRXXX
Emri i llogarisë: Shoqata Down Syndrome Kosova
Raiffeisen Bank -IBAN:XK051501090000423672
SWIFT: RBKOXKPR
Përgjegjësia sociale në fokus
Fushata ka gjithashtu për qëllim të nxisë përgjegjësi sociale dhe përfshirje aktive nga figura kyçe të jetës politike dhe publike në vend. Duke qenë se fushata nis në prag të zgjedhjeve komunale, gjatë 10 ditëve të para ajo do të fokusohet në nxitjen e të gjithë kandidatëve për kryetarë komunash dhe asamblistë që t’i bashkohen kësaj kauze përmes kontributit financiar apo mbështetjes publike.
Pas kësaj periudhe, fushata do të vazhdojë të targetojë, biznese, korporata, filantropë, figura publike dhe të gjitha shtresat e shoqërisë që mund të japin kontributin e tyre.
Të gjithë Qytetarët, Institucionet Publike dhe Private, Diaspora ftohen të bëhen pjesë e kësaj iniciative qoftë duke kontribuar financiarisht, apo duke shpërndarë mesazhin e fushatës në platformat e tyre sociale.
Rreth Shoqatës Down Syndrome Kosova (DSK)
Shoqata Down Syndrome Kosova (DSK) është një organizatë joqeveritare me përvojë shumëvjeçare në fushën e avokimit për mbrojtjen dhe realizimin e të drejtave të personave me sindromën Down, si dhe të personave me aftësi të kufizuara në përgjithësi.
Përveç rolit të saj avokues, DSK është e vetmja shoqatë në Kosovë e specializuar në ofrimin e shërbimeve terapeutike dhe sociale për personat me sindromë Down dhe familjet e tyre.
Me përkushtim të vazhdueshëm, DSK është shndërruar në zërin kryesor në Kosovë për të drejtat, zhvillimin dhe integrimin e plotë të personave me sindromën Down.
Burimi: botasot.info


