Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, në bashkëpunim me KIESA, organizuan Forumin Kosovë – Japoni, që synon të fuqizojë bashkëpunimin ekonomik dhe tregtar mes kompanive kosovare dhe japoneze.
Ministrja e në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari tha ky forum synon forcimin dhe lidhjen ekonomike ndërmjet vendeve tona dhe krijimin e partneriteteve të reja dhe sektorët e TIK-ut, përpunimin e metaleve, energjisë, mjedisit dhe infrastrukturës.
Hajdari: Japonia, partner i rëndësishëm i Kosovës
“Forumi synon forcimin dhe lidhjen ekonomike ndërmjet vendeve tona dhe krijimin e partneriteteve të reja dhe sektorët e TIK-ut, përpunimin e metaleve, energjisë, mjedisit dhe infrastrukturës. Japonia është një mike dhe partner i rëndësishëm i Kosovës me mbështetje të vazhdueshme përmes agjencisë për zhvillim JICA në fushat si mjedisi, teknologjia, siguria ushqimore, arsimi dhe zhvillimi kulturor i të rinjve … tani me këtë forum bëjmë përpjekje të përbashkëta nga dy shtetet, ne fillojmë këtë miqësi edhe në fushën ekonomike. Kosova është një ekonomi e re dhe dinamike, me fuqi punëtore të re dhe me reforma të thella ligjore që kanë krijuar një klimë shumë të favorshme për të bërë biznes, Vendi ynë ka shënuar rritje të shpejtë ekonomike sipas këtij raporti, OECD-së e sa i përket”, tha ajo.
Ndërsa, ushtrues detyre i drejtorit të Përgjitshëm të KIESA, Zef Dedaj, duke theksuar rëndësinë e partneritetit me Organizatën Japoneze për Tregti të Jashtme (JETRO), tha se ky forum është një motiv që në të ardhmen të rritet numri i biznese me sektorë të ndryshëm.
Dedaj: Tani jemi të lumtur që kemi një partner të fortë, JETRO-n
“Tani jemi të lumtur që kemi një partner të fortë, JETRO-n, që do të thotë se bashkëpunimi ynë po rritet edhe më shumë dhe unë planifikoj ta vizitoj shumë shpejt JETRO-n në Budapest. Ne duam t’ju garantojmë juve, bizneseve nga Kosova dhe Japonia, se ky është një fillim i mirë me një numër të madh kompanish, por kjo na motivon që në forumin e ardhshëm ekonomik ta rrisim edhe më shumë numrin e bizneseve dhe sektorëve”, tha Dedaj.
Ambasadori i Japonisë në Republikën e Kosovës, Kiminori Iëama, përmend se Kosova dhe Japonia janë në përputhje me vlerat e tyre, gjë që sipas tij bën të përbashkët dëshirën për eksplorim të mëtutjeshëm midis dy vendeve.
Iwama: Kosova dhe Japonia ndajnë të njëjtat vlera
“Kemi shumë aspekte që duhet të eksplorojmë, marrëdhëniet bilaterale të biznesit, sepse Kosova dhe Japonia ndajnë të njëjtat vlera, ndajnë respektin reciprok dhe ndajnë përkushtimin ndaj zhvillimit të qëndrueshëm. Por njëkohësisht, dua të theksoj se kjo është hera e parë që kemi mundësinë të takohemi individualisht, së bashku me partnerët biznesorë nga Japonia dhe partnerët nga Kosova. Dhe besoj se kjo duhet të zhvillojë vazhdimisht marrëdhëniet mes dy sektorëve të liderëve të biznesit”, tha ai.
Forumi ekonomik Kosovë–Japoni shënon një hap të ri në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe mes dy vendeve. Nisma vjen në një kohë kur Kosova po synon të zgjerojë bashkëpunimin ndërkombëtar dhe të tërheqë investime të huaja në sektorët strategjikë, ndërsa Japonia po kërkon hapësira të reja bashkëpunimi në rajonin e Ballkanit Perëndimor. Përmes mbështetjes së institucioneve si JICA dhe përfshirjes së Organizatës Japoneze për Tregti të Jashtme (JETRO), ky forum krijon mundësi të drejtpërdrejta lidhjeje mes bizneseve, për të eksploruar partneritete të reja në fushat e teknologjisë, energjisë, mjedisit, përpunimit të metaleve dhe zhvillimit industrial. Takimi shënon gjithashtu përpjekjen e parë të gjerë për t’i afruar komunitetet biznesore të dy shteteve, duke vendosur bazat për bashkëpunim afatgjatë dhe të qëndrueshëm ekonomik.
Burimi: botasot.info


