forumi ekonomik boteror ne davos trump dominon takimin 696f3234de230

Forumi Ekonomik Botëror në Davos: Trump dominon takimin

January 20, 2026
min lexim

Pjesëmarrja e Donald Trumpnë Forumin e Davosit zgjoi interes të madh: Konfliktet globale, politika e SHBA-së si dhe një delegacion i kryesuar nga presidenti Trump rekord do të jenë në qendër të Forumit Ekonomik Botëror.

Takimi zhvillohet në një kohë kur presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po përpiqet të çmontojë rendin ndërkombëtar: nga pezullimi i rregullave të përcaktuara tregtare dhe tërheqja nga organizata të shumta ndërkombëtare, përfshirë Marrëveshjen e OKB-së për Klimën, deri te arrestimi i Presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro, dhe kërcënimi për të aneksuar Groenlandën.Fjalimi i Donald Trump të mërkurën në Davos pritet me interes sidomos në sfondin e kërcënimeve të presidentit amerikan, për të marrë ishullin e Groenlandës, që i përket vendit partner në NATO, Danimarkës. 

Sulmi i Trump ndaj rregullave ndërkombëtare, që janë në fuqi që nga Lufta e Dytë Botërore, dhe ndikimi i tij në paqen botërore, politikën dhe ekonominë do të jenë ndër temat qendrore të forumit pesëditor, që u hap më 19 janar nën moton “Në Frymën e Dialogut”.   

Përveç Donald Trump, në Davos do të vijnë më shumë se 60 krerë shtetesh dhe qeverish, përfshirë kancelarin gjerman Friedrich Merz, i cili do të mbajë një fjalim të enjten në Davos. Edhe kryeministri kanadez Mark Carney dhe presidenti argjentinas Javier Milei janë në Davos, presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen, zëvendëskryeministri kinez He Lifeng, kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif dhe presidenti sirian Ahmed al-Sharaa priten gjithashtu në Zvicër.

Delegacion jashtëzakonisht i madh nga SHBA

Trump kryeson delegacionin më të madh amerikan në historinë e Forumit Ekonomik Botëror të Davosit, i përbërë nga pesë anëtarë të kabinetit dhe zyrtarë të tjerë të lartë. Delegacioni përfshin Sekretarin e Shtetit Marco Rubio, të Dërguarin Special Steve Witkoff dhe dhëndrin e Trump, Jared Kushner. Kjo përgatit terrenin për bisedime të nivelit të lartë mbi Ukrainën, Venezuelën dhe Rripin e Gazës. Irani, ku dëshmitarët okularë raportojnë një shtypje brutale të protestave antiqeveritare, ka të ngjarë të jetë gjithashtu në agjendë.

Në kuadrin e këtij samiti, Trump pritet të takohet me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe aleatët e G7 të Kievit – përfshirë krerët e shteteve dhe qeverive të Gjermanisë, Italisë, Francës, Britanisë së Madhe dhe Kanadasë, si dhe Presidenten e Komisionit Evropian – për të siguruar mbështetjen e SHBA-së për garancitë e sigurisë për Ukrainën pas një marrëveshjeje të mundshme paqeje me Rusinë.

Prania e fortë e SHBA-së përforcohet edhe nga fakti se këtë vit, për herë të parë, në Davos ka një “Shtëpi të SHBA-së” – një vend për evente në një kishë të vogël në shëtitoren kryesore, ku përfaqësuesit e SHBA-së do të zhvillojnë takime për të vendosur kontakte me investitorë.

Organizata, e cila ekziston që nga viti 1971, synon të promovojë dialogun, por vetë po përballet me vështirësi, pasi multilateralizmi dhe tregtia e lirë kanë humbur rëndësinë. / DW 

Burimi: botasot.info

VERO JUMBO MACEDONIA

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

trembedhjete vjet nga heqja e lapidarit te ucpmb se nga xhandarmeria serbe 696f321e742aa
Lajmi i mëparshëm

​Trembëdhjetë vjet nga heqja e lapidarit të UÇPMB-së nga xhandarmëria serbe

jemi dakord per sirine dhe iranin por trump publikon mesazhin nga macron per greolanden 696f33e6024c8
Lajmi i radhës

“Jemi dakord për Sirinë dhe Iranin, por…”, Trump publikon mesazhin nga Macron për Greolandën

Të fundit nga

Fillon gjysmëvjetori i dytë për nxënësit

Për nxënësit e arsimit fillor dhe të mesëm në territorin e gjithë vendit sot fillon gjysmëvjetori i dytë. Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska në një publikim në Fejsbuk u dëshiroi

Qarkullimi zhvillohet pa ndërprerje dhe pa vonesa

15 Shkup, 20 janar – Qarkullimi në rrugët shtetërore zhvillohet pa ndërprerje, kryesisht në rrugë të thata. Intensiteti i qarkullimit në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar. Në vendkalimet kufitare në anën e
ShkoLartë