Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës (BQK), Ahmet Ismaili, zhvilloi një takim zyrtar me Zëvendësdrejtorin Menaxhues të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), Bo Li, dhe ekipin e tij, në kuadër të vizitës zyrtare në SHBA.
Gjatë këtij takimi të rëndësishëm, guvernatori Ismaili prezantoi zhvillimet më të fundit në ekonominë e Kosovës, me fokus të veçantë në stabilitetin financiar, performancën pozitive të sektorit bankar dhe progresin në implementimin e reformave strukturore.
Guvernatori falënderoi FMN-në për bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe mbështetjen teknike, si dhe për rolin kyç që ka luajtur në forcimin e kapaciteteve institucionale të BQK-së.
Nga ana e tij, zëvendësdrejtori menaxhues i FMN-së, Bo Li, vlerësoi lartë përkushtimin e institucioneve kosovare në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik dhe financiar, si dhe në zbatimin e suksesshëm të rekomandimeve nga misionet e FMN-së. Ai përgëzoi BQK-në për qasjen profesionale dhe rezultatet e qëndrueshme në sektorin financiar.
Një nga pikat kryesore të diskutimit ishte përditësimi i Rishikimit të Stabilitetit të Sektorit Financiar (FSSR), ku palët u dakorduan për rëndësinë e avancimit të mëtejshëm të mekanizmave të mbikëqyrjes dhe përmirësimit të kornizës operacionale të stabilitetit financiar.
Takimi shënoi një angazhim të përbashkët për thellimin e partneritetit ndërmjet BQK-së dhe FMN-së, duke përforcuar rrugën drejt një rritjeje të qëndrueshme ekonomike dhe një sektori financiar të fortë në Kosovë.
Delegacioni i BQK-së do të vazhdojë agjendën me takime bilaterale me përfaqësues të lartë të FMN-së dhe Bankës Botërore gjatë qëndrimit në Washington D.C.
Burimi: botasot.info


