fitorja e prishtines nuk i mbulon humbjet gashi analizon rezultatin e ldk se ne balotazh 691a4484b6add

Fitorja e Prishtinës nuk i mbulon humbjet – Gashi analizon rezultatin e LDK-së në balotazh

November 16, 2025
min lexim

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) mori pjesë në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale, balotazhin e mbajtur më 9 nëntor.

Në këtë balotazh, LDK arriti të fitojë disa komuna, ndër të cilat një nga më të rëndësishmet ishte kryeqyteti i Kosovës, Prishtina.

Njëkohësisht, partia nuk arriti të fitojë në disa komuna të tjera, përfshirë Obiliqin dhe Fushë Kosovën, të cilat i kishte udhëhequr për disa vite.

Analisti politik, Eduard Gashi, në një prononcim për “Bota sot”, ka  theksuar se fitorja e LDK-së në Prishtinë nuk është thjesht lokale, por një tregues strategjik i orientimit të opinionit publik.

Ai ka pranuar se LDK ka humbur në disa komuna, por nënvizon se rezultatet duhet interpretuar me kujdes.

Image

Eduard Gashi

“Fitorja e LDK-së në Prishtinë nuk është një fitore e zakonshme lokale – ajo është një tregues strategjik i rëndësishëm për drejtimin ku po lëviz opinioni publik. Prishtina ka peshë të veçantë politike, institucionale dhe simbolike. Është qyteti me popullsinë më të re, më aktive, më kritike dhe më kërkuese në raport me qeverisjen. Pikërisht për këtë arsye, rikthimi i besimit në kryeqytet është dëshmi se LDK ka arritur të ndërtojë një ofertë moderne, të besueshme dhe në përputhje me pritjet e votuesve urbanë.

Sigurisht që brenda Kosovës ka komuna ku LDK ka humbur terren – dhe këtë askush nuk e mohon. Mirëpo, këto rezultate duhen lexuar me kujdes dhe pa gjeneralizime. Çdo komunë ka karakteristikën e vet: strukturë të ndryshme të popullsisë, rrethana të ndryshme socio-ekonomike, profile të ndryshme të kandidatëve, dhe mbi të gjitha, pritje të ndryshme nga qytetarët. Nuk mund të krahasohet realisht një komunë rurale me një qendër urbane si Prishtina, sepse logjika e votuesit është tjetër, prioritetet janë të tjera dhe dinamika politike është më e personalizuar”, ka thënë ai.

Tutje, Gashi ka shtuar se rënia e LDK-së në disa komuna lidhet me faktorë lokalë dhe menaxhim komunal, ndërsa fitorja në Prishtinë tregon se partia ka kapacitet për të fituar në gara të vështira.

“Në këtë kontekst, rënia në disa bastione të LDK-së duhet të shihet jo si “humbje politike kombëtare”, por si rezultat i faktorëve lokalë – shumë prej të cilëve kanë të bëjnë me menaxhimin konkret në nivel komune dhe raportet e brendshme politike në ato njësi. Ajo që vlen është fakti se LDK ka dëshmuar se ruan kapacitetin për të fituar aty ku gara është më e ashpër, më e vështirë dhe më konkurruese.

Nuk është e drejtë të thuhet se LDK po e përdor fitoren në Prishtinë për të mbuluar dobësitë. Përkundrazi, LDK po e thekson Prishtinën sepse është indikator real i trendit politik dhe i perceptimit publik. Në kryeqytet vota është më pak emocionale dhe shumë më racionale – votuesi analizon programin, performancën, seriozitetin e kandidatit dhe kulturën e qeverisjes. Fitorja aty tregon se LDK ka arritur të bindë një elektorat që kërkon standard të lartë, transparencë dhe orientim drejt zhvillimit”, ka shtuar ai.

Gjithashtu, Gashi ka theksuar se fitorja e LDK-së në Prishtinë ka efekt domino.

“Për më tepër, Prishtina ka efekt domino në politikën kosovare: ajo krijon momentum, hap rrugë për zgjerim në zonat urbane të tjera dhe rikthen imazhin e LDK-së si forcë që di të qeverisë me maturi dhe stabilitet. Kjo fitore, e kombinuar me një analizë të sinqertë të rezultateve në komunat e humbura, e vendos LDK-në në një pozitë shumë më të fortë për të ndërtuar strukturat, për të konsoliduar bazën dhe për të përgatitur terrenin për zgjedhjet e ardhshme.

Me këtë logjikë, fitorja në Prishtinë nuk është vetëm sukses – është një mesazh i qartë se LDK ka potencial të rikthehet si forca kryesore politike në vend, duke u mbështetur tek votuesit që kërkojnë stabilitet, profesionalizëm dhe qeverisje të përgjegjshme”, ka përfunduar Gashi.

Burimi: botasot.info

VERO JUMBO MACEDONIA

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

istogu nderprene aktivitetet 691a4473dc5e3
Lajmi i mëparshëm

Istogu ndërprenë aktivitetet!

shqiperia do te perfshihet nga moti i keq ministria e mbrojtjes nga neser priten reshje te dendura shiu ja qarqet me te rrezikuara 691a4524ac095
Lajmi i radhës

Shqipëria do të përfshihet nga moti i keq, Ministria e Mbrojtjes: Nga nesër priten reshje të dendura shiu, ja qarqet më të rrezikuara

Të fundit nga

ShkoLartë