Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, vlerësoi se ndryshimet politike në rajon po dobësojnë atë që e quajti “oktapodi kriminal ballkanik”, duke paralajmëruar se pas Aleksandar Vuçiqit dhe Viktor Orbanit, radha do t’i vijë kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski.
Në një konferencë për media, Filipçe tha se zhvillimet në Hungari dhe Serbi paralajmërojnë fundin e lidhjeve politike, biznesore dhe mediatike, të cilat, sipas tij, mbajnë në këmbë regjimet e korruptuara në rajon.
Ai akuzoi pushtetin e Mickoskit se ndjek modelin e Partisë Përparimtare Serbe, ndërsa Vuçiqin e cilësoi si mentor politik të kryeministrit maqedonas. Sipas tij, këto lidhje ushqejnë kapjen e shtetit, errësirën mediatike dhe korrupsionin.
Filipçe ngriti gjithashtu pretendime për interesa biznesore në sektorin e energjetikës, tregtinë me energji elektrike dhe sektorin financiar. Ai përmendi kompaninë “Rudnap”, ministren Sanja Bozhinovska, Dushan Adamoviqin dhe hyrjen e “Alta Bankës” në tregun maqedonas.
Kreu i LSDM-së bëri edhe akuza për lidhje të personave nga pushteti serb me trafikun e drogës dhe për marrëdhëniet e tyre me kompani në Maqedoninë e Veriut, që sipas tij, janë të afërta me kryeministrin Mickoski.
Ai kritikoi edhe mediat “Alo” dhe “Euronews”, duke pretenduar se veprojnë në Maqedoninë e Veriut pa regjistrimin e duhur dhe përdoren për propagandë e diskreditimin e kundërshtarëve politikë.
Filipçe tha se edhe vetë ka qenë cak i publikimeve që i cilësoi si të pavërteta dhe diskredituese, duke paralajmëruar se përgjegjësit do të japin llogari një ditë.
Sipas tij, ndryshimet politike në rajon tregojnë se po i vjen fundi modelit të ndërtuar mbi lidhjet politike dhe biznesore.
Burimi: lajmpress.org



