Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, paralajmëroi se gjendja ekonomike në vend është përkeqësuar seriozisht dhe se ka probleme të mëdha në financat publike, të cilat tashmë po reflektohen edhe në funksionimin e kompanive.
Filipçe theksoi se vrima në buxhet po thellohet, ndërsa shteti vazhdon të marrë borxhe.
“Po e ndjekim situatën me financat. Qeveria po kërkon kredi. E fundit është rreth 300 milionë euro. Vrima në buxhet është diku rreth 2 miliardë euro. Është lëshuar edhe një euroobligacion prej 1 miliard eurosh, por kjo nuk është e mjaftueshme”, tha ai.
Ai theksoi se pushteti po vonon shlyerjen e obligimeve, gjë që tashmë po ndikon negativisht në sektorin privat.
“Po vonohet pagesa ndaj subjekteve ekonomike, rreth 500–600 milionë euro. Rreth 100 milionë euro është borxhi në bazë të kthimit të TVSH-së për kompanitë. Ka kompani që po mbyllen sepse nuk mund ta përballojnë situatën, prandaj marrin kredi. Njerëzit kanë jetuar nga kthimi i TVSH-së, nga ato para, ndërsa tani marrin kredi, futen në borxhe dhe mbyllin kompanitë”, deklaroi Filipçe.
Ai shtoi se qeveria po e vë në rrezik edhe pagesën e rregullt të pagave dhe pensioneve, ndërsa gjendja ekonomike me këto parametra pritet të përkeqësohet edhe më shumë në vjeshtë për shkak të zhvillimeve në Lindjen e Mesme.
Burimi: botasot.info


