Ish-zëvendëskryeministri për implementimin e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, Festim Halili po qëndron për vizitë zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me ftesë institucionale, ku po zhvillon një sërë takimesh të rëndësishme me përfaqësues të institucioneve amerikane.
Në kuadër të kësaj vizite, Halili u takua në United States Capitol me kongresmenin amerikan Juan Vargas, përfaqësues i shtetit të Kalifornisë dhe mik i dëshmuar i vendit dhe rajonit tonë. Gjatë takimit, kongresmeni Vargas ndau një fakt domethënës nga periudha e luftës në Kosovë, duke theksuar se kishte strehuar për dy vite në shtëpinë e tij një familje refugjate nga Kosova, si shenjë solidariteti dhe humanizmi.
Halili shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të miqve amerikanë, duke vlerësuar marrëdhëniet e forta dhe bashkëpunimin e qëndrueshëm ndërmjet vendeve tona, të cilat pritet të thellohen edhe më tej në shumë dimensione.
Në vazhdën e kësaj vizite, janë planifikuar takime të tjera në institucione të arsimit të lartë, institucione qeveritare amerikane, si dhe pjesëmarrja në konferencën vjetore për siguri që mbahet në Kongresin e SHBA-së. Po ashtu, Halili do të marrë pjesë edhe në eventin tradicional të Lutjeve Nacionale të Mëngjesit, ku do të jetë i pranishëm edhe presidenti amerikan Donald Trump.
Vizita në Uashington konsiderohet një mundësi e rëndësishme për forcimin e lidhjeve ndërinstitucionale dhe avancimin e bashkëpunimit me partnerin strategjik, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.


