Në një fjalim në Kuvendin e Shqipërisë, deputetja e PD-së, Denisa Vata, denoncoi atë që e quajti një “paradoks të qeverisë”: ndërkohë që shteti flet për zhvillim, politika aktuale po shkatërron bazën e zhvillimit ekonomik.
Ajo u ndal te projektligjet për portet turistike, qëfavorizojnë investitorë të zgjedhur nga qeveria, duke shmangur konkurrencën e hapur dhe duke krijuar monopol dhe klientelizëm. “Portet, që janë infrastruktura strategjike e vendit, nuk trajtohen më si pasuri publike, por shpërndahen tek një grup i përzgjedhur investitorësh”, tha Vata.
Deputetja gjithashtu kritikoi paketën e qeverisë për zhvillimin e maleve, duke e cilësuar atë si mekanizëm për tjetërsimin e pronave dhe shpopullimin e fshatrave. Ajo përmendi raste konkrete në Martanesh dhe Gjoricë, ku tokat bujqësore po shndërrohen në hapësira për panele diellore, duke dëmtuar blegtorinë dhe ekonominë fshatare.
Vata argumentoi se politikat e qeverisë shpërfillin fermerët e vegjël, duke i lënë pa subvencione dhe pa mbështetje reale. Deputetja paralajmëroi se nëse nuk ndryshon kjo politikë, pas disa vitesh Shqipëria do të ketë një bregdet të privatizuar, toka bujqësore të zhdukura dhe fshatra të zbrazura, ndërsa zhvillimi i vendit do të pengohet nga mungesa e transparencës dhe konkurrencës në menaxhimin e aseteve strategjike.
Vata:
Përshëndetje kolegë, e nderuar drejtuese e seancës. Në Shqipëri sot po ndodh një paradoks që nuk mund të fshihet më. Shteti flet për zhvillim, por në praktikë po shkatërron vetë bazën e zhvillimit. Nga njëra anë kemi projektligje për porte turistike që u hapin rrugë investitorëve të ashtuquajtur strategjikë, të marrin pasuri publike pa konkurencë të vërtetë. Portet që janë infrastruktura strategjike të vendit, nuk trajtohen më si pasuri të përbashkëta të qytetarëve, por si objekte për t’u shpërndarë me vendim qeverie tek një grup i përzgjedhur investitorësh.
Në vend që të krijohet një garë e hapur, transparente dhe me interes të zhvillimit turistik të vendit, krijohet një mekanizëm ku shteti zgjedh fituesin dhe qytetarët paguajnë pasojat. Ky është një model që e kemi parë edhe në sektorë të tjerë. Përjashtimi nga konkurrenca gjithmonë prodhon klientelizëm dhe monopol. Por problemi nuk ndalet këtu. Shembulli i politikës së qeverisë përmes paketës së maleve, një mekanizëm i qeverisë për tjetërsimin e pronave dhe shpopullimin sistemik të fshatrave. Panelet diellore dhe hecet me tuba janë bërë dora e fundit e qeverisë për të varrosur bujqësinë dhe blegtorinë.
Në Martanesh dhe Gjoricë, Bashkia Bulqizë po nxjerr në ankand tokat për miqtë e kryeministrit, për të vendosur panele diellore, duke e prezantuar si një zhvillim grin, por është një politikë që vret blegtorinë dhe ekonominë fshatare. Disa familje prezantohen si biznese lokale, por pas tyre fshihen oligarkët, ndërtues e biznese, biznesmenë pranë qeverisë. Bashkitë po falsifikojnë shkallën e pjellorisë së tokave. Nga toka buke, po i kthejnë në toka joproduktive. Ku shkoi projekti i agroturizmit që gëlltiti një pjesë të mirë të fondeve të IPARD-it? Çfarë zhvillimi është ky kur humbasin 100 familje për të fituar një apo dy biznesmenë?
Po pse kjo politikë kaq armiqësore ndaj fermerëve dhe blegtorëve për të cilët qeveria e Rilindjes kishte premtuar shumëçka? Ku shkuan thirrjet e kryeministrit për emigrantët që të kthehen, që të investojnë në vendin e tyre, kur vetë qeveria po grabit tokat në mal, në kodra, në fusha, në dete për miqtë e kryeministrit? Në të njëjtën kohë, qeveria del dhe thotë se po rrit subvencionet për bujqësinë dhe blegtorinë. Por le të shohim realitetin në terren. Familjet në fshatra nuk kanë ferma, kanë një ose dy lopë, pak tokë për bukë, disa dele. Këto janë fermerët realë shqiptarë.
Sepse kush nga familjet që banojnë sot në fshat paska pesë lopë apo 50 dele? Jo për gjë, po dhe sikur, nuk ka kush t’i kullosë sepse fshati është shpopulluar dhe ka mbetur vetëm moshat e treta. Dhe çfarë ndodh me ta? Ata nuk marrin subvencione, ata nuk përfitojnë nga skemat, ata nuk kanë akses në mbështetje. Pra kemi një politikë që në letër mbështet fermerin, por në praktikë përjashton fermerin real.
Kjo është arsyeja pse sot shumë toka janë djerrë. Jo sepse shqiptarët nuk duan të punojnë tokën, por sepse shteti nuk e mbështet prodhimin. Dhe ndërkohë që toka e bukës lihet pa mbështetje, por merr një destinacion tjetër, po jepet për panele diellore, të paktën ashtu si po ndodh në qarkun Dibër. Uji po futet në tuba, siç është rasti i fshatit Kurdari. Bujqësia tokë kërkon dhe ujë dhe normalisht që do të funksionojë. Por kemi një situatë absurde. Fermeri nuk subvencionohet që të mbjellë tokën, por toka e tij shpallet joprodhuese dhe i jepet dikujt tjetër për biznes energjie.
Në njërën anë, portet strategjike jepen për investitorët strategjikë, në anën tjetër, toka bujqësore po kalon në projekte që nuk kanë lidhje me prodhimin. Në fund të kësaj politike, politika, në fund të kësaj politike humb një kategori e vetme, fermeri shqiptar dhe ekonomia reale e vendit. Si mund të zhvillohet një vend duke braktisur bujqësinë, duke lënë tokat djerrë dhe duke shpërndarë asetet strategjike pa konkurencë? Zhvillim do të kishim nëse portet menaxhohen me transparencë dhe garë të hapur. Bujqësia mbështetet realisht dhe toka e bukës mbrohet si pasuri. Ndryshe, rrezikojmë që pas disa vitesh të kemi një vend me bregdet të privatizuar, toka bujqësore të zhdukura dhe fshatra të zbrazura.
Burimi: botasot.info


