Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan i ka bërë thirrje Greqisë të “ndryshojë kurs” dhe të ndalë atë që Ankaraja e konsideron militarizim të ishujve të Egjeut, të cilët sipas traktateve ndërkombëtare kanë status të demilitarizuar.
Deklarata e Erdogan vjen në një moment kur marrëdhëniet mes Turqisë dhe Greqisë vijojnë të shoqërohen me mosmarrëveshje të forta lidhur me ishujt e Egjeut dhe interpretimin e traktateve ndërkombëtare.
Në një intervistë për gazetën greke “Kathimerini”, pas kthimit nga Bishkeku i Kirgistanit, ku mori pjesë në samitin e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait, Erdogan theksoi se Turqia nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë vendi, por paralajmëroi se Ankaraja nuk do të lejojë shkeljen e të drejtave që pretendon se i takojnë.
“Turqia nuk ka ambicie për territorin e askujt, por nuk do të lejojë askënd të shkelë të drejtat e saj”, deklaroi presidenti turk.
Erdogan i kërkoi Athinës të largohet nga ajo që ai e cilësoi si një “rrugë të gabuar” dhe të respektojë traktatet ndërkombëtare. Sipas tij, injorimi apo shkelja e marrëveshjeve ndërkombëtare nuk i shërben asnjërës palë dhe mund të krijojë pasoja për stabilitetin në rajon.
Presidenti turk paralajmëroi gjithashtu se qasja e kujdesshme e Ankarasë nuk duhet të interpretohet si dobësi. “Kushdo që e interpreton qasjen e qetë dhe racionale të Turqisë si dobësi, po bën një gabim serioz”, u shpreh Erdogan.
Burimi: botasot.info

