Me revizionin e kryer në SHA Lotaria Shtetërore për vitin 2024, janë konstatuar parregullsi serioze që lidhen me transaksione joligjike dhe inekzistente, regjistrime pa dokumentacion të përshtatshëm financiar ose të mbështetura me dokumente paverifikueshme, për çka ekziston dyshim për keqpërdorim të mjeteve monetare, si dhe për veprimtari të paligjshme me arkën dhe llogaritë e pagesave, njofton Enti Shtetëror i Revizionit.
Revizioni ka konstatuar se gjatë vitit 2024, qarkullimi i përgjithshëm ditor i realizuar nga shitja e lojërave të fatit dhe elektronike në 10 pika shitjeje në pronësi të shoqërisë, ka arritur në 46.039 mijë denarë (746.970 euro), por këto mjete nuk janë derdhur rregullisht në llogaritë bankare të shoqërisë, ndonëse sipas rregullativës ligjore personi juridik është i obliguar që të gjitha mjetet monetare nga qarkullimi ditor të pranuara në para të gatshme, mbi çfarëdo baze, t’i derdhë më së voni deri në ditën e ardhshme të punës në llogarinë e vet bankare.
Gjatë vitit 2024, shoqëria vetëm në dy raste ka kryer pagesë në emër të “qarkullimit ditor”, edhe atë: në prill 2024 janë derdhur 36.364 mijë denarë dhe në fund të vitit 2024 janë derdhur 15.427 mijë denarë. Me këtë rast, revizorët kanë konstatuar se këto pagesa nuk janë nga mjetet e pranuara në para të gatshme nga “qarkullimi ditor”, por paraqesin mjete të tërhequra si para të gatshme nga një llogari dhe të derdhura si qarkullim ditor në një tjetër llogari të shoqërisë.
Revizorët shtetërorë gjithashtu kanë konstatuar se drejtori i Sektorit për Financa dhe Kontabilitet ka paguar drejtpërdrejt avanse për fitime të vogla për një pjesë të bashkëpunëtorëve afaristë (rreth 320 persona juridikë me kontratë bashkëpunimi) në vlerë prej 13.971 mijë denarësh, pa e përdorur mënyrën e përcaktuar të pagesës përmes Master dilerit.
Për pjesën më të madhe të këtyre transaksioneve, në vlerë prej 13.054 mijë denarësh, janë dorëzuar dokumente të parregullta dhe të pavlefshme ose nuk janë dorëzuar fare dokumente, për çka ekziston pasiguri lidhur me vërtetësinë e ngjarjeve të evidentuara.
“Ekzistojnë raste kur bashkëpunëtorëve afaristë, në të njëjtën ditë, u janë bërë pagesa të mjeteve monetare edhe përmes arkës, edhe përmes Master dilerit, pa shpjegim logjik për arsyet dhe nevojën e një veprimi të tillë. Për daljet e evidentuara (36.465 mijë denarë) dhe hyrjet e mjeteve monetare (7.897 mijë denarë) në para të gatshme, mbi bazën e avanseve të dhëna dhe të kthyera për pagesën e fitimeve të vogla në pikat e shitjes në pronësi të shoqërisë, revizorët konstatuan se dokumentacioni mbështetës është i diskutueshëm dhe joverodostojshëm”, thuhet në raportin e revizionit.
Gjatë vitit 2024, lotaria instant ka qenë e përfaqësuar me 12 lloje të ndryshme biletash instant me fitime në para dhe sende. Revizorët theksojnë se shuma e evidentuar e fondit të papaguar të fitimeve për lotarinë instant në kontabilitet është për 63.294 mijë denarë më e vogël krahasuar me shumën e përllogaritur sipas sistemit qendror online, gjë që nuk është në përputhje me rregullat e lojës, vë në pikëpyetje mundësinë e pagesës së fitimeve të ardhshme dhe rrezikon integritetin e Lotarisë Shtetërore.
Gjatë vitit 2024, në Lotarinë Shtetërore janë evidentuar shpenzime për reklamë, propagandë, promovim dhe panaire në vlerë prej 220.823 mijë denarësh, përkatësisht 3.582.811 euro. Në periudhën nga viti 2020 deri në vitin 2024, këto shpenzime shënojnë rritje të vazhdueshme, ndërsa në vitin që është objekt i revizionit janë 10 herë më të larta krahasuar me vitin 2020.
Revizorët kanë konstatuar edhe raste të tjera në të cilat nuk është e mundur të vërtetohet plotësisht përdorimi i qëllimshëm dhe racional i mjeteve publike për aktivitete të marketingut.
Sipas informatave të marra nga televizioni nacional në të cilin janë transmetuar emisionet argëtuese, gjatë sezoneve 2023/2024 dhe 2024/2025 janë transmetuar gjithsej 70 emisione, ndërsa 8 emisione, për të cilat janë paguar gjithsej 2.723 mijë denarë, nuk i janë dorëzuar shoqërisë, për çka revizorët nuk janë bindur se të njëjtat janë prodhuar.
Janë konstatuar parregullsi edhe në menaxhimin dhe shfrytëzimin e objekteve të marra me qira, përdorim jo racional i mjeteve publike për qira, rikonstruksion dhe renovim, si dhe mungesë e evidencës kontabilitare për investimet në mjete të huaja.
Revizorët në raport theksojnë se për vitin afarist 2024, personi përgjegjës i shoqërisë ka lidhur kontrata për punë të përkohshme me gjithsej 195 persona, nga të cilët 75 persona nuk kanë ardhur në punë dhe nuk kanë kryer detyra pune, ndërsa për ta janë paguar në mënyrë të paligjshme dhe jodestinative 14.911 mijë denarë, përkatësisht 241.928 euro.
Parregullsi dhe paligjshmëri janë konstatuar edhe te shpenzimet për udhëtime zyrtare jashtë vendit në vlerë të përgjithshme prej 6.041 mijë denarësh, ku për një pjesë të tyre janë paguar shpenzime edhe pse udhëtimet nuk janë realizuar (3.331 mijë denarë) ose janë paguar pa dokumentacion që e vërteton shpenzimin (2.710 mijë denarë).
Në këto shpenzime, sipas raportit, përfshihen edhe shpenzime për përfaqësim, vizita në institucione kulturore, blerje të veshjeve për nevoja personale, suvenire dhe të ngjashme, në vlerë të përgjithshme prej 3.092 mijë denarësh.
“Një pjesë e shpenzimeve për përfaqësim janë arsyetuar mbi bazë të dokumenteve të paverifikueshme. Parregullsi të ngjashme janë konstatuar edhe te shpenzimet për mirëmbajtje të automjeteve dhe blerje të karburantit në vlerë prej 985 mijë denarësh”, thuhet në raport.


