Është vënë në pranga Meigan Brajoviç, ndërsa është shpallur në kërkim edhe një person tjetër, pasi dyshohen se kanë kërcënuar me armë zjarri fqinjin e tyre në Shkodër, pas një konflikti të çastit.
Sipas policisë dyshohet se 37-vjeçari dhe një 22 vjeçar me inicialet A. G. , gjatë një konflikti për motive të dobëta, me fqinjin e tyre, shtetasin E. K., e kanë kanosur atë me armë zjarri pistoletë. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “Tafilica”.
Pas marrjes së njoftimit, Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me shërbimet e Patrullës së Përgjithshme, të mbështetura nga shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, kanë organizuar punën për kapjen e autorëve dhe zbardhjen e rrethanave të rastit.
Si rezultat i veprimeve të shpejta, u kap në flagrancë dhe u arrestua Meigan Brajoviç, banues në Shkodër dhe në kërkim u shpall shtetasi A. G., 22 vjeç, banues në Shkodër.
22-vjeçari dyshohet se sapo ka konstatuar punonjësit e Policisë, ka marrë armën e zjarrit dhe është larguar me vrap.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Top Channel
Burimi: top-channel.tv


