Gjendja e sigurisë në Kosovë vazhdon të mbetet e ndjeshme dhe e brishtë. Kështu vlerëson profesori universitar dhe eksperti i sigurisë, Prof. Dr. Muhamet Racaj. Ai thekson se këtë realitet e ka konfirmuar edhe komandanti i KFOR-it në prononcimin e tij vjetor në janar të vitit 2026.
“Kosova realisht nuk ka qenë asnjëherë plotësisht e qetë nga kërcënimet që burojnë nga Serbia, veçanërisht në veri të vendit”, deklaron Racaj për Bota sot.
Sipas tij, kapja e vazhdueshme e armëve ilegale tek qytetarë dhe grupe të lidhura me strukturat serbe nuk është e rastësishme, por pjesë e një strategjie të qëllimshme destabilizuese.
“Këto veprime dëshmojnë se Serbia ende e sheh Kosovën si çështje të hapur strategjike dhe jo si realitet të përfunduar shtetëror”, thotë ai.
Duke folur për mungesën e reagimeve të forta ndërkombëtare ndaj veprimeve të Serbisë, Racaj vlerëson se kjo nuk lidhet me mungesë informacioni, por me kalkulime politike dhe diplomatike.

Sipas tij, vëmendja e bashkësisë ndërkombëtare e përqendruar në konflikte globale i ka mundësuar Serbisë të ndjekë një qasje të dyfishtë.
“Nga njëra anë paraqitet si faktor stabiliteti, ndërsa nga ana tjetër ushqen struktura ilegale, armatosje dhe tensione në veri të Kosovës, sidomos pas marrjes së pushtetit lokal nga listat serbe”, thekson ai, duke shtuar se kjo strategji hibride, e kombinuar me lobim diplomatik dhe mbështetje nga aktorë të caktuar ndërkombëtarë, ka prodhuar reagime të buta dhe jo proporcionale me rrezikun real në terren.
Racaj është i prerë se injorimi i Serbisë nuk përbën zgjidhje. Ai vlerëson se mungesa e reagimit vetëm sa e inkurajon Beogradin të vazhdojë me ambiciet e tij destabilizuese.
“Serbia duhet luftuar politikisht, diplomatikisht dhe institucionalisht, me argumente, fakte dhe presion të vazhdueshëm ndërkombëtar”, shprehet ai, duke kërkuar një angazhim më aktiv të Kosovës në arenën ndërkombëtare për ta demaskuar strategjinë serbe dhe për të kërkuar përgjegjësi konkrete.
Duke komentuar deklaratën e fundit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, se posedon dokumentacion për kërkesat e Kosovës për armatim nga Turqia dhe SHBA-të, Racaj e cilëson këtë si alarm serioz për sigurinë kombëtare.
“Dobësia më e madhe e institucioneve të Kosovës sot nuk vjen vetëm nga kërcënimet e jashtme, por nga rrjedhja e lehtë e informacioneve të klasifikuara”, paralajmëron ai.
Sipas Racajt, nëse Vuçiq posedon dokumentacion të tillë, atëherë kemi të bëjmë me dështim institucional serioz dhe institucionet e Kosovës duhet urgjentisht të hetojnë burimin e këtyre rrjedhjeve dhe të marrin masa drastike.
Profesori Racaj po ashtu shpreh shqetësim për rritjen e kapaciteteve ushtarake të Serbisë, duke e konsideruar këtë një kërcënim real për Kosovën dhe rajonin. Ai thekson se armatosja moderne, retorika nacionaliste, tensionet e vazhdueshme në veri dhe mosnjohja e Kosovës krijojnë një ambient real kërcënimi.
“Serbia po ndërton kapacitete ofensive, jo thjesht mbrojtëse, dhe kjo duhet të shqetësojë seriozisht jo vetëm Kosovën, por gjithë rajonin”, thotë ai.
Sa i përket përgjigjes që duhet të japë Kosova në këtë situatë, Racaj vlerëson se ajo duhet të bazohet në vigjilencë të vazhdueshme, forcim të kapaciteteve mbrojtëse, mbrojtje strikte të informacionit të klasifikuar dhe bashkëpunim të ngushtë me aleatët strategjikë, veçanërisht SHBA-të dhe NATO-n.
“Kosova nuk është e vetme, por kjo nuk do të thotë se mund të jetë e pakujdesshme. Paqe ka vetëm kur ekziston forcë, seriozitet institucional dhe diplomaci aktive”, përfundon Racaj.
Burimi: botasot.info

