1
Shkupi, 26 janar – Në Davos të Zvicrës u mbajt Forumi më i njohur ekonomik botëror, i cili sivjet ishte nën moton “Fryma e Dialogut”. Në këtë Forum u mblodhën liderë nga e gjithë bota, ku ishte edhe presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, por edhe lideri i Francës dhe shumë liderë të tjerë. Nga rajoni morën pjesë thuajse të gjithë liderët e shteteve të Ballkanit, në mesin e tyre dhe kryeministri Mickoski, shkruan “Zhurnal.mk”.
Forumi kryesisht ishte në qendër të kontrasteve në qasjet strategjike të Kinës dhe Shteteve të Bashkuara, ku dy fuqitë botërore e përdorën ngjarjen globale për të shtyrë përpara axhendat e tyre dhe për të përcjellë qëndrimet që formësojnë politikat globale. Dallimet në retorikën dhe qasjet e tyre strategjike u nxorën në pah ndërsa rivaliteti i tyre u intensifikua në fronte të shumëfishta.
Pa hyrë shumë në “ujërat e politikës botërore” aktaualisht Maqedonia e Veriut ka shumë nevojë që të fokusohet në çështjet ekonomike. Dihet se çështjet politike janë gjithashtu të rëndësishme, por ato nuk varen drejtpërsëdrejti vetëm nga qeveria në Shkup. Bllokimi në rrugën e Bashkimkit Evropian lidhet direkt me Bullgarinë, e cila vazhdimisht ka krizë politike dhe për këtë arsye nuk mund të kemi një palë serioze negociuese në këto momente. Atje ditë më parë dha dorëheqje edhe presidenti Radev, një zë shumë i ashpër kundër Maqedonisë së Veriut, duke e bërë edhe më të panjohur politikën në Sofje.
Prandaj, në këtë këndvështrim, Maqedonia e Veriut e shfrytëzoi Forumin në Davos që më së shumti të fokusohet në çështjen ekonomike, sidomos në prezantimin e vendit para kompanive multinacionale, shkruan “Zhurnal.mk”.
Delegacioni i Maqedonisë së Veriut prezantoi projekte që përfshijnë prodhimin e energjisë elektrike dhe përmirësimin e kapaciteteve transmetuese të ndërlidhësve të gazit dhe energjisë elektrike. Përveç energjisë, në këtë Forum u zhvilluan diskutime me kompani kryesore globale në botën e inteligjencës artificiale, si dhe të menaxhimit të qendrave të të dhënave.
Në Forumin në Davos, para një paneli kushtuar të ardhmes energjetike u prezantuan projektet “Boshkov Most”, centralet energjetike “Çebren” dhe “Galishte”. Me këto projekte, përveç rritjes së prodhimit vendas të energjisë elektrike, do t’i shtojnë vlerë ekonomisë dhe do të përmirësojnë cilësinë e jetës së qytetarëve.
Maqedonia e Veriut e shfrytëzoi këtë forum që të promovojë projekte edhe për shëndetësinë, duke potencuar në veçanti ndërtimin e kompleksit të ri klinik dhe ndërtimin e shumë qendrave spitalore.
Nëse e vlerësojmë vetëm në rrafshin ekonomik, qeveria veproi ashtu siç ishte më së miri, edhe pse projektet si “Çebren” dhe “Galishte” po promovohen gati 10 vite, dhe askush nuk ka shprehur interesimin e duhur. Megjithatë, për këto mega-projekte duhet të ketë një fond të madh financiar, i cili mund t’i lëvizë gjërat përpara. Këtu duhet të merret parasysh edhe interesi i vendeve të Evropës, sepse investimi në këto projekte do të ndihmonte jo vetëm Maqedoninë e Veriut të ketë energji më të lirë, por do të ndihmonte edhe të gjithë Evropën për një siguri më të madhe energjetike.
Në vitet e ardhshme nevoja për energji në botë do të rritet dy herë e gjysmë më shpejt, dhe Maqedonia e Veriut nuk duhet të pres të mbetet e fundit në rajon, por duhet t’i shfrytëzojë kapacitete e saja. Në këtë drejtim, duhet qeveria që të jet aktorë aktivë dhe pjesëmarrës aktivë, dhe këtu do të duhet përsëri të rifillojnë të gjitha ato projekte energjetike ndoshta të harruara nga e kaluara.
Në të gjithë botën duhet të ndërtohen kapacitete që do të prodhojnë gjithsej 40,000 teravatë-orë energji elektrike. Kjo nënkupton se në të ardhmen do të nevojiten pesë mijë e gjysmë herë më shumë energji elektrike sesa ajo që konsumon aktualisht Maqedonia e Veriut dhe afërsisht aq sa konsumojnë aktualisht Shtetet e Bashkuara, Kanadaja, vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe Japonia së bashku.
Prandaj, duke i pasur parasysh të gjitha këto nevoja të botës për energjetikë, duhet të jemi më “syhapur” dhe më proaktiv në gjetjen e këtyre investitorëve që presin kushte të volitshme për investime.
Nga ana tjetër, në rrafshin politik, Maqedonia e Veriut nuk është se doli shumë në skenë. Takime për bashkëpunim kishte kryesisht në nivel rajonal edhe atë me përfaqësues nga Bosnja e Hercegovina, Hungaria, Kosova…
Ndoshta strategjia e qeverisë ishte që të fokusohet më së shumti në rrafshin ekonomik, por diplomacia është e rëndësishme dhe një siguri dhe stabilitet politik, garanton edhe zhvillim e progres ekonomik.
Në këtë kontekst, Maqedonia e Veriut duhet të shkojë paralelisht me dy qëllime, avancim i bashkëpunimit politik me partnerët strategjik dhe vendet e BE-së, dhe bindje sa më e madhe e kompanive botërore për të zgjedhur Maqedoninë e Veriut si vend i sigurt për investime.
Rezultatet nga Davosi në sferën ekonomike ishin të kënaqshme, por konkretizimi i këtyre projekteve kërkon kohë dhe përkushtim edhe nga qeveria por edhe nga kompanitë dhe interesat globale, analizon “Zhurnal.mk”.
Burimi: zhurnal.mk



