Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme (SPAK) drejtuar Kuvendit për autorizimin e heqjes së imunitetit të zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Në një postim në platformën X, Rama shkruan se prokurori kërkon autorizim për të arrestuar zëvendëskryeministren, me burg ose në shtëpi. Ai e cilëson këtë zhvillim si pjesë të një “mode të vrazhdë” të arrestimeve pa gjyq në vend, duke theksuar se Shqipëria ka më shumë të paraburgosur sesa të burgosur, një situatë që sipas tij ka shqetësuar edhe Këshillin e Evropës.
“Pasi u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese për pezullimin antikushtetues dhe antidemokratik të një anëtari të qeverisë, pa u tharë ende boja e vendimit të Kushtetueses, prokurori në fjalë i kërkon Kuvendit, autorizimin për të arrestuar zv.kryeministren – me burg ose në shtëpi. Që arrestet pa gjyq, në daç në shtëpi e në daç me burg, janë bërë një modë e vrazhdë në Shqipëri, e që Shqipëria është bërë një vend me më shumë të paraburgosur se sa të burgosur – një fakt i turpshëm pa asnjë lidhje me standartet demokratike europiane – gjë që ka shqetësuar seriozisht edhe Këshillin e Europës, kjo dihet botërisht”, shkruan Rama.
Ai shtoi se, ndryshe nga rastet e mëparshme kur qeveria ka shmangur komentet mbi proceset gjyqësore, kësaj here Kuvendit i kërkohet të shprehet dhe për këtë arsye mazhoranca do të marrë një qëndrim “të qartë e të denjë, si forca udhëheqëse e vendit dhe e Reformës në Drejtësi”.
“Por sigurisht që në rastin në fjalë, ne s’mund dhe s’do ta paragjykojmë kërkesën e prokurorit special, por duke qenë se ndryshe nga proceset e tjera, ku ne si rregull s’flasim për përmbajtjen e çështjeve, këtë herë na kërkohet të japim opinionin tonë, ne do të angazhohemi me të gjithë përgjegjësinë tonë përpara shqiptarëve që na dhanë 83 mandate, e do të përgatitemi për të mbajtur një qëndrim të drejtë, të qartë e të denjë, si forca udhëheqëse e vendit dhe e Reformës në Drejtësi”, thekson kryeministri.
Burimi: botasot.info


