Policia e Durrësit ka konfiskuar një pasuri të konsiderueshme në përdorim të shtetasit L. K., në kuadër të hetimeve për veprimtari kriminale.
Sipas njoftimit zyrtar, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në policinë e Durrësit ka sekuestruar 1050 m² truall, së bashku me një objekt banimi njëkatësh, oborr dhe pishinë, pasuri këto që dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti krimial i dy djemve të L. K.
Këta të fundit janë nën hetim për disa vepra të rënda penale, përfshirë “Falsifikimin e letërnjoftimeve, pasaportave dhe vizave” dhe “Falsifikimin e vulave dhe formularëve”.
Po ashtu, dy vëllezërit janë hetuar në kuadër të një procedimi penal të vitit 2017, për dyshime mbi përfshirjen në “Vrasje në rrethana të cilësuara, kryer në bashkëpunim” si dhe “Mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarake”.
Pasuria e sekuestruar i është dorëzuar zyrtarisht Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, në prani të familjarëve të shtetasit L. K.
Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrjetit të veprimtarive kriminale dhe gjurmimin e pasurive të tjera të dyshuara.
Njoftimi i policisë:
Durrës
Sekuestrohen pasuri të dyshuara të përfituara nga veprimtaritë kriminale.
Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës bëri ekzekutimin e vendimit penal të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Tiranë, lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit, për konfiskimin e pasurisë në përdorim të shtetasit L. K..
Këtij shtetasi iu sekuestruan 1050 m2 truall, si dhe një objekt njëkatësh me oborr dhe pishinë. Pasuria iu dorëzua Agjencisë për Administrimin e Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, në prezencë të familjarëve të shtetasit L. K..
Nga hetimet e deritanishme rezulton se shtetasi L. K. i ka përfituar këto pasuri nga veprimtaria kriminale e 2 djemve të tij, të cilat janë të dyshuar për veprat penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave” dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”.
2 vëllezërit janë hetuar në kuadër të një procedimi penal të vitit 2017, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja”, në rrethana të cilësuara, kryer në bashkëpunim, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Burimi: botasot.info


