Lord Mandelson ka dhënë dorëheqjen nga anëtarësia në Partinë Laburiste britanike, duke deklaruar se nuk dëshiron të shkaktojë “turpërim të mëtejshëm” për partinë, pas zbulimeve të reja mbi lidhjet e tij me financierin amerikan Jeffrey Epstein.
Ish-ministri britanik u përmend në dokumentet e publikuara së fundmi nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, ku thuhet se Epstein ka kryer tre pagesa prej 25 mijë dollarësh ndaj Mandelson në vitet 2003–2004. Mandelson i ka mohuar këto pretendime, duke thënë se nuk ka asnjë kujtesë apo dokument që t’i vërtetojë.
Në letrën drejtuar sekretarit të përgjithshëm të Partisë Laburiste, ai shprehu keqardhje për përfshirjen e tij në këtë çështje dhe tha se do të hetojë personalisht akuzat, por ndërkohë ka vendosur të largohet nga partia për të mos i shkaktuar dëm politik.
Mandelson përsëriti gjithashtu kërkim-faljen duke pranuar se ka gabuar që ka vazhduar kontaktet me të edhe pas dënimit të financierit amerikan.
Reagimet politike nuk kanë munguar. Deputetë laburistë e cilësuan dorëheqjen si një veprim të drejtë, ndërsa opozita konservatore kritikoi kryeministrin Keir Starmer për mënyrën se si u trajtua çështja, duke kërkuar hetim të plotë mbi lidhjet e Mandelson me Epstein.
Qeveria britanike ka deklaruar se nuk kishte dijeni për pretendimet lidhur me pagesat financiare, ndërsa çështja pritet të mbetet në qendër të debatit politik në Mbretërinë e Bashkuar.
Burimi: botasot.info


