Dy persona janë arrestuar në Mitrovicë të Jugut, nën dyshimin për posedim të paautorizuar të narkotikëve.
Sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës, rasti është regjistruar më 10 nëntor, rreth orës 18:35, kur zyrtarët policorë kanë kryer kontroll ndaj dy personave të dyshuar dhe në shtëpinë e njërit prej tyre.
Gjatë kontrollit, policia ka gjetur dhe sekuestruar 12.26 gramë substancë që dyshohet të jetë marihuanë. Po ashtu, janë konfiskuar edhe 80 euro para të gatshme, për të cilat dyshohet se janë përfituar nga shitja e narkotikëve, transmeton “Bota sot”.
Në mesin e gjërave të sekuestruara janë edhe një peshore digjitale dhe një telefon mobil, të cilat janë marrë si pjesë e veprimeve policore lidhur me rastin.
Pas arrestimit, të dyshuarit janë shoqëruar në polici, ku janë intervistuar lidhur me dyshimet për posedim të paautorizuar të narkotikëve.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, njëri prej të dyshuarve është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa personi tjetër është dërguar në mbajtje.
Burimi: botasot.info


