Ambasadori i Kosovës në Emiratet e Bashkuara Arabe, Xhabir Hamiti, ka bërë të ditur se kanë filluar përgatitjet fillestare për përzgjedhjen e lokacionit për implementimin e donacionit prej 25 milionë eurosh, të ndara nga shteti i Emirateve të Bashkuara Arabe, për ndërtimin e Spitalit të Ri të Gjinekologjisë, në Prishtinë.
Hamiti këtë e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook.
Lexoni të plotë njoftimin e tij:
Një lajm i mirë nga Abu Dhabi për Spitalin e Ri të Gjinekologjisë në Prishtinë
Gjatë kësaj jave, i shoqëruar nga Këshilltari, z. Melhin Mahmuti, u prita nga Shkëlqesia e Saj, Dr. Noura Al-Gauthi, Zëvendëssekretare e Departamentit të Shëndetësisë – Abu Dhabi, e cila më informoi se, në bashkëpunim me Ministrinë tonë të Shëndetësisë, kanë filluar përgatitjet fillestare për përzgjedhjen e lokacionit për implementimin e donacionit prej 25 milionë euro, të ndarë nga shteti i Emirateve të Bashkuara Arabe, për ndërtimin e Spitalit të Ri të Gjinekologjisë në Prishtinë.
Gjatë takimit, po ashtu u njoftuam se ky Departament, gjatë këtij viti, do të fillojë procesin e rinovimit dhe pajisjes me teknologji të re mjekësore të Spitalit Sheikh Zayed në Vushtrri në shumë prej 7.5 milionë euro.
Me këtë rast, në emër të shtetit dhe popullit tonë, shpreha mirënjohjen më të thellë ndaj lidershipit të Emirateve të Bashkuara Arabe, në krye me Presidentin e vendit, Lartmadhërinë e Tij, Sheikh Mohamed bin Zayed Al Nahyan, si dhe ndaj popullit emiratas, për këto donacione të çmuara që kontribuojnë drejtpërdrejt në avancimin e kushteve të sektorit të shëndetësisë në Republikën e Kosovës.
Burimi: botasot.info


