dogana e kosoves vleresohet nga ke per reforma te suksesshme 690b37651d1de

Dogana e Kosovës vlerësohet nga KE për reforma të suksesshme

November 5, 2025
min lexim

Dogana e Kosovës ka reaguar të mërkurën pas vlerësimit për progres të qëndrueshëm dhe reforma të suksesshme në Raportin e Komisionit Evropian për Kosovën 2025. Në dokumentin e publikuar, Komisioni thekson se Dogana ka shënuar përparim të dukshëm në disa fusha kyçe, përfshirë rritjen e të hyrave, luftimin e ekonomisë joformale dhe përdorimin e teknologjisë së avancuar.

Sipas raportit, Dogana e Kosovës ka arritur rezultate të prekshme në zgjerimin e terminaleve publike doganore, uljen dhe heqjen e tarifave në terminale private, forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe ndërkombëtar, si dhe në zbatimin e masave për mbrojtjen e pronësisë intelektuale.

Në raport theksohet se gjatë vitit 2024, të hyrat doganore janë rritur për mbi 170 milionë euro, si rezultat i luftës efektive kundër mashtrimeve doganore dhe forcimit të integritetit institucional, njofton Dogana.

Një tjetër arritje e rëndësishme është heqja e plotë e tarifave të shërbimit në shumicën e pikave të zhdoganimit, çka ka lehtësuar ndjeshëm tregtinë dhe ka rritur transparencën në proceset doganore.

Po ashtu, Dogana thuhet se ka fuqizuar bashkëpunimin me Administratën Tatimore dhe Policinë e Kosovës përmes krijimit të Ekipit të Përbashkët Hetimor, si dhe ka vazhduar bashkëpunimin me Zyrën Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF).

“Në fushën e mbrojtjes së pronësisë intelektuale, janë sekuestruar mallra të falsifikuara në vlerë rreth 12 milionë euro, ndërsa janë zbatuar banderolat elektronike të akcizës për produktet e duhanit dhe pijet alkoolike – masë që ka përmirësuar kontrollin e tregut dhe ka ndikuar në rritjen e të hyrave buxhetore”.

Raporti vlerëson gjithashtu hapat drejt digjitalizimit të plotë të doganës, përfshirë përdorimin e inteligjencës artificiale (AI) në analizën e rrezikut dhe sistemet e inteligjencës së biznesit. Sipas raportit, Dogana ka përforcuar edhe kapacitetet profesionale përmes rekrutimit të zyrtarëve të rinj dhe modernizimit të laboratorit doganor.

“Ky progres, sipas raportit, është arritur falë mbështetjes së Qeverisë së Kosovës dhe bashkëpunimit të ngushtë me partnerët ndërkombëtarë, përfshirë Zyrën e BE-së në Kosovë, Ambasadën e SHBA-së, Ambasadën Britanike dhe Qeverinë Gjermane”, konsideron Dogana e Kosovës në një njoftim për medie.

Komisioni Evropian ka dhënë edhe disa rekomandime për vitin e ardhshëm, ndër to finalizimi i akteve nënligjore për Kodin e ri Doganor dhe të Akcizës, forcimi i kapaciteteve profesionale dhe administrative sipas meritës, si dhe zhvillimi i sistemeve digjitale përmes miratimit të Strategjisë për Teknologjinë Informative.

Dogana e Kosovës ka theksuar se mbetet plotësisht e përkushtuar në zbatimin e këtyre rekomandimeve dhe në avancimin e reformave që forcojnë integritetin, transparencën dhe efikasitetin në shërbim të qytetarëve dhe ekonomisë së vendit.

Burimi: botasot.info

VERO JUMBO MACEDONIA

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

java e 11 te e superiores premton lufte ne fushen e lojes 690b375666bdc
Lajmi i mëparshëm

Java e 11-të e Superiores premton “luftë” në fushën e lojës

akuzohet per vrasjen e kusheririt ne fshatin gjorm paraqitet ne gjykaten e vlores bertil alliaj 690b38039a8ca
Lajmi i radhës

Akuzohet për vrasjen e kushëririt në fshatin Gjorm, paraqitet në Gjykatën e Vlorës Bertil Alliaj

Të fundit nga

ShkoLartë