Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi të premten, gjatë një interviste në studion e Fox News, se durimi i tij me presidentin rus Vladimir Putin po shteron me shpejtësi, duke shprehur zhgënjimin për vijimin e luftës në Ukrainë. Megjithatë, ai nuk bëri ndonjë kërcënim të drejtpërdrejtë për sanksione të reja ndaj Rusisë.
I pyetur nëse i ka mbaruar durimi me Putinin, Trump u përgjigj prerë:
“Po. Po mbaron, dhe shumë shpejt madje.”
Në transmetim të drejtpërdrejtë, ai theksoi se ka pasur marrëdhënie të mira me presidentin rus gjatë viteve, por shtoi se është thellësisht i zhgënjyer për dështimin e tij në ndalimin e luftës.
“Do të duhet të bëhemi shumë, shumë të ashpër,” tha Trump, duke përmendur si mundësi të reja sanksione ndaj bankave, sektorit të naftës dhe vendosjen e tarifave tregtare. Ai nënvizoi se edhe vendet evropiane duhet të marrin përgjegjësi dhe të përfshihen më shumë në këtë proces.
Trump rikujtoi se gjatë mandatit të tij kishte ndërmarrë hapa konkretë në këtë drejtim, duke përmendur si shembull tarifën 50% që vendosi ndaj eksporteve indiane drejt SHBA-së — një vend që është ndër blerësit më të mëdhenj të naftës ruse.
“Nuk është e lehtë të bësh diçka të tillë. Është një vendim i madh dhe krijon tensione me Indinë,” deklaroi Trump, për të përfunduar me një mesazh për Evropën:
“Mos harroni: kjo është shumë më tepër një çështje evropiane sesa amerikane.”
Burimi: botasot.info


