Prokurorët në Los Anxhelos do të ngrenë akuza për vrasje ndaj djalit të Rob dhe Michele Reiner, çiftit të njohur të Hollivudit që u gjetën të vdekur në shtëpinë e tyre të dielën, me plagë të shumta nga thika.
Nick Reiner, 32 vjeç, përballet me dy akuza për vrasje të shkallës së parë dhe, nëse shpallet fajtor, mund të dënohet me burgim të përjetshëm. Prokurori i Qarkut, Nathan Hochman, bëri të ditur se ai do të nxirret para gjykatës për t’u përballur zyrtarisht me akuzat pasi të marrë “miratimin mjekësor” nga autoritetet e burgut, raporton BBC.
Gjatë një konference për media të martën, Hochman tha se ende nuk është marrë vendim nëse prokuroria do të kërkojë dënimin me vdekje.
Rob Reiner ka drejtuar disa filma ikonikë në zhanre të ndryshme, përfshirë “This Is Spinal Tap”, “Misery” dhe “A Few Good Men”.
Michele Singer Reiner ishte aktore, fotografe dhe producente, si dhe themeluese e “Reiner Light”, një agjenci fotografie dhe kompani produksioni.
Sipas Hochman, Nick Reiner akuzohet për dy vrasje të shkallës së parë “me rrethanë rënduese të vrasjeve të shumta”, çka mund të çojë në një dënim më të ashpër nëse shpallet fajtor. Ai akuzohet gjithashtu për përdorimin e një “arme të rrezikshme dhe vdekjeprurëse, konkretisht një thikë”.
I dyshuari aktualisht po i nënshtrohet ekzaminimeve mjekësore për t’u siguruar se është i aftë të paraqitet në gjykatë. Ai pritet të dalë para gjyqtarit më vonë gjatë së martës (sipas kohës lokale në ShBA) për seancën e parë, ku do t’i lexohen zyrtarisht akuzat dhe do të ketë mundësi të deklarohet fajtor ose i pafajshëm.
Në konferencën për media foli edhe shefi i Departamentit të Policisë së Los Anxhelosit, Jim McDonnell, i cili tha se rasti ka tronditur mbarë qytetin.
“Ky rast është zemërthyes dhe thellësisht personal, jo vetëm për familjen Reiner dhe të afërmit e tyre, por për të gjithë qytetin”, u shpreh ai, duke shtuar se “u shprehim ngushëllimet tona më të thella të gjithë të prekurve nga kjo tragjedi”.
Zyrtarët refuzuan të japin detaje se si u lokalizua i dyshuari, duke ia atribuuar arrestimin “punës së mirë dhe solide policore”.
Prokurori Hochman shtoi se është ende herët për të thënë nëse ndonjë “sëmundje mendore” ka luajtur rol në krim, por nuk përjashtoi mundësinë që kjo çështje të trajtohet gjatë procesit gjyqësor.
“Nëse ka prova për sëmundje mendore, ato do të paraqiten në gjykatë, në çfarëdo detaji që mbrojtja do të zgjedhë të paraqesë”, tha ai.
Burimi: botasot.info


