Ish-ministri i Jashtëm i Shqipërisë dhe deputeti socialist, Ditmir Bushati, është zhvendosur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku për këtë vit akademik do të japë mësim në Universitetin prestigjioz të Harvardit.
Bushati ka njoftuar se i është bashkuar Qendrës për Marrëdhënie Ndërkombëtare të Harvardit, një institucion i themeluar në vitin 1958 nga Henry Kissinger dhe Robert Bowie, që konsiderohet qendra më e madhe e kërkimit mbi marrëdhëniet ndërkombëtare në këtë universitet.
“Është nder dhe kënaqësi për mua që kësaj radhe t’i bashkohem Qendrës për Marrëdhënie Ndërkombëtare, duke u angazhuar në projekte kërkimore dhe në një cikël leksionesh me studentë, pedagogë dhe studiues mbi rolin e marrëdhënieve SHBA-BE në konsolidimin e paqes dhe prosperitetit në Europën Juglindore,” shkroi Bushati.
Ai theksoi se kjo përvojë është një mundësi e vyer jo vetëm për të ndarë eksperiencën e tij, por edhe për të mësuar nga akademikë dhe praktikantë ndërkombëtarë.
Bushati vuri në dukje se rendi ndërkombëtar është tronditur nga agresioni rus në Ukrainë dhe konfliktet në Lindjen e Mesme, duke i bërë edhe më të domosdoshme format e bashkëpunimit mes SHBA-së dhe BE-së për stabilitetin dhe transformimin e rajonit të Europës Juglindore.
Burimi: botasot.info


