Përplasjet pranë Kryeministrisë po vijojnë, ndërsa policia ka ndërhyrë me sprej lotsjellës dhe sprej me piper në drejtim të protestuesve.
Në terren ka ndërhyrë edhe autoboti me ujë, ndërsa raportohet për shoqërime të protestuesve nga efektivët.
Gjatë tensioneve, një i ri është shpëtuar nga bashkëmoshatarët e tij, të cilët kanë ndërhyrë për të mos lejuar shoqërimin e tij nga policia.
Protesta e sotme nisi në orën 14:00 si zakonisht nga Ministria e Arsimit dhe më pas nisën tensionet kur të rinj të maskuar kanë hedhur gurë drejt policisë dhe kanë thyer xhama te Kryesia e Kuvendit në Tiranë.
Protestuesit para Kryeministrisë kanë grumbulluar dhe djegur karriget e vendosura nga kryeministri Edi Rama si ftesë për dialog. Pas kësaj, të rinjtë nisën marshimin drejt kryqëzimit me sheshin “Skënderbej” e më pas drejt bulevardit për t’iu drejtuar Kryeministrisë.
Të rinjtë dhe studentët vijojnë të kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe kanë refuzuar çdo ftesë për dialog nga ana e Kryeministrit. Nga ana tjetër, kreu i Qeverisë prezantoi sot paketën e re ligjore që parashikon gjoba dhe masa më të ashpra ndaj pjesëmarrësve në protesta të dhunshme.
Burimi: botasot.info


