Qytetarët e Kosovës sot po ushtrojnë të drejtën e tyre demokratike të votimit.
Bashkëkryetarja e Listës Guxo, Donika Gërvalla, ka reaguar përmes një postimi në Facebook, ku ka theksuar se në një ditë kaq të bukur, festa e demokracisë po ndihet kudo. Ajo ka përshkruar atmosferën në shkollën “Naim Frashëri” si jashtëzakonisht inkurajuese, me qytetarë të buzëqeshur dhe me vullnet të madh për të marrë pjesë në procesin zgjedhor.
Gërvalla ka bërë të ditur se edhe ajo ka ushtruar të drejtën e votës, duke nënvizuar se demokracia është zemra e shtetit të Kosovës. Ajo ka ftuar të gjithë qytetarët që të dalin dhe të votojnë, duke e konsideruar votën si mjetin më të fuqishëm në duart e secilit qytetar.
“Le ta forcojmë Republikën me pjesëmarrje masive, me kulturë dhe dinjitet qytetar”, ka përfunduar ajo, duke falënderuar të gjithë ata që po kontribuojnë që kjo ditë ta bëjë demokracinë edhe më të prekshme në Kosovë.
Postimi i plotë:
Në një ditë kaq të bukur si kjo, festa e demokracisë po ndihet kudo. Në shkollën “Naim Frashëri”, entuziazmi për të votuar ishte i prekshëm gjithandej, që në orët e hershme të mëngjesit. Korridore të stërmbushura, radhë të gjata, fytyra të qeshura dhe vullnet i jashtëzakonshëm i qytetarëve të Republikës sonë për ta kthyer këtë ditë në një festë të vërtetë të demokracisë.
Në një atmosferë të tillë, votova edhe unë, për Kosovën, për Republikën tonë. Demokracia është zemra e shtetit të Kosovës. Andaj, dil të lutem e voto edhe ti, secili e secila, që të gjithë. Shfrytëzo të drejtën tënde, sepse vota jote është arma jote më e fuqishme.
Le ta forcojmë Republikën me pjesëmarrje masive, me kulturë e dinjitet qytetar. Faleminderit nga zemra për secilin e secilën që po e bën sot demokracinë edhe me të prekshme.
Burimi: botasot.info


