Kreu i qeverisë, Edi Rama, në nisje të podkastit të tij që mbahet çdo të diel, u ndal tek risitë e fundit, konkretisht tek programi EuroAgro Albania 2025-2030.
Këtë program, Rama e cilëson si një sfidë të fortë për sektorin e bujqësisë, lidhur me arritjen e standardeve europiane, si paketë për mbylljen e negociatave të Shqipërisë me BE deri në vitin 2027.
“Këtë javë prezantuam një mekanizëm praktik e të domosdoshëm për përgatitjen e bujqësisë dhe sektorit ushqimor për tregun e përbashkët europian me kapitujt 11, 12 dhe 13, në zemër të procesit të negociatave të anëtarësimit. Do të jetë një sfidë e fortë për çka kemi bërë në një dekadë, me besim dhe forcë se do të bëjmë gjithçka që duhet për t’ia dalë edhe në dy vitet e ardhshme që të mbyllim negociatat deri në fund të vitit 2027”, tha ai.
Sakaq, Rama bëri dhe një krahasim të sektorit në kohë, tani dhe të një dekade më parë. Kryeministri u shpreh se dikur mbështetje financiare nga shteti arrinin të merrnin vetëm 5 mijë e 600 fermerë, një numër ky i shumëfishuar sipas tij sot. Duke u ndalur tek eksporti, Rama tha se kjo veprimtari ekonomike dikur ishte një privilegj, ndërsa sot produktet shqiptare mbërrijnë në 80 vende të botës.
“Një dekadë më parë, vetëm 5 mijë e 600 fermerë merrnin një mbështetje simbolike asokohe nga shteti. Sot janë 67 mijë e 500 fermerë që përfitojnë nga çdo vit mbështetje reale e cila peshon në portofolin e fermës së tyre. Eksportet, dikur ishin një privilegj i një grushti fermerësh, ndërsa sot produktet shqiptare shkojnë në 80 vende të botës dhe eksportet kanë kaluar gjysëm miliardë euro, ndërkohë që raporti i defiçitit tregtar, pra, eksporte dhe importe të produkteve ushqimore ka zbritur nga 1 eksport 9 import, në vetëm 1 eksport dhe 3 import. Sot jemi në një tjetër nivel, por edhe sfidat janë të një niveli tjetër”, tha Rama.
Për platformën EuroAgro, kryeministri tha se do të shërbejë si një udhërrëfyes të standardeve europiane për fermerët vendas.
“EuroAgro Albania nuk është një uebsajt më shumë, nuk është një faqe më shumë në internet por është një instrument pune, një udhërrëfyes, hap pas hapi, si burim informacioni për standard, afate, detyrime konkrete, si një kanal dialogu i hapur për fermerët dhe bizneset në këtë rrugë drejt anëtarësimit”, tha ai.
Burimi: botasot.info


