Jozefin Marku është arrestuar pas incidentit të dhunshëm ndaj Eduart Kuçit, pamjet e të cilit kanë qarkulluar gjerësisht në rrjetet sociale.
Ngjarja dyshohet se ka ndodhur në autostradën pranë Tiranës, ku Eduart Kuçi është ndaluar nga një grup personash dhe më pas është përfshirë në një përplasje fizike me Jozefin Markun. Në pamjet e publikuara në rrjet shfaqet Marku duke e goditur Kuçin, ndërsa pranë tyre ndodhen edhe persona të tjerë.
Rasti ka marrë edhe përmasa ligjore në Kosovë. Prokuroria Themelore në Pejë ka hapur rast penal ndaj shtetasit shqiptar Jozefin Marku, nën dyshimet për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”. Sipas raportimeve, autoritetet kosovare kanë kërkuar gjithashtu marrjen e masave për ndalimin e tij.
Në pamjet e bëra publike shihet gjithashtu një person që mban një tabelë “STOP”, që ngjan me sinjalistikën e Policisë, ndërsa disa prej personave shfaqen me maska. Rrethanat e sakta të ndalimit të Kuçit dhe përdorimi i këtyre simboleve janë pjesë e çështjeve që pritet të verifikohen nga autoritetet.
Konflikti dyshohet se ka nisur pas një përplasjeje të mëparshme në rrjetet sociale mes dy personazheve. Kuçi kishte reaguar publikisht ndaj Markut pas një konflikti të tij me Gjestin, ndërsa më pas situata ka kaluar nga deklaratat në rrjetet sociale në një përballje fizike.
Vetë Jozefin Marku ka mohuar më herët që ngjarja të ketë ndodhur realisht, duke pretenduar se pamjet ishin pjesë e një skene të realizuar për argëtim. Ai e ka cilësuar gjithashtu si të pavërtetë informacionin për masat e kërkuara ndaj tij.
Burimi: botasot.info


