Policia e Vlorës ka dhënë detaje lidhur me ngjarjen e ndodhur mesditën e kësaj të diele në një pikë karburanti, ku avokati Kujtim Cakrani u dhunua nga dy persona dhe për pasojë u dërgua në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
Sipas policisë, ngjarja është shënuar rreth orës 13:30, në rrugën Tranballkanike, gjatë kohës që avokati i Ilir Metës, 55-vjeç, ka qenë duke furnizuar automjetin me karburant. Dyshohet se konflikti ka nisur për shkak të pozicionit se si e kishte lënë avokati automjetin që sipas dy personave, me të cilët është konfliktuar, kishte bllokuar edhe automjetet e tjera.Dy personat, ende të paidentifikuar, e kanë goditur fizikisht ndërsa avokati është dërguar në spital. Policia thotë se nga veprimet e para hetimore është bërë e mundur identifikimi i automjetit me të cilin janë larguar dy shtetasit.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 13:30, në rrugën Tranballkanike, pranë një karburanti, gjatë kohës që do furnizonte automjetin me karburant, shtetasi K.C., 55 vjeç, me profesion avokat, është përfshirë në një konflikt me dy persona ende të paidentifikuar.
Konflikti, që paraprakisht dyshohet se ka të bëjë me pozicionimin e automjetit në pikën e furnizimit dhe bllokimin e mjeteve të tjera, është përshkallëzuar, dhe dy personat ende të paidentifikuar e kanë goditur fizikisht shtetasin K.C., i cili po merr ndihmë mjekësore në spital.
Nga veprimet e para hetimore është bërë e mundur identifikimi i automjetit me të cilin janë larguar dy shtetasit.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Burimi: botasot.info


