Lista Serbe raportohet se ka organizuar votim në grup. Dhjetëra qytetarë serbë janë mbledhur pranë selisë së partisë në Mitrovicë dhe më pas janë drejtuar së bashku drejt qendrave të votimit, duke ngritur shqetësime për ndërhyrje në vullnetin e lirë të qytetarëve.
Eksperti i çështjeve juridike, Blerim Burjani, në një prononcim për “Bota sot”, ka ngritur shqetësime serioze lidhur me mënyrën e organizimit të votimit.
Sipas tij, forma të tilla të votimit përbëjnë ndërhyrje të drejtpërdrejtë në vullnetin e lirë të qytetarëve.

“Votimi familjar, votimi kolektiv me negociim, ose preference vote është i kundërligjshëm, pra përbën ndërhyrje në vullnetin e lirë. Nuk mund të ketë asnjë ndërhyrje. Nuk është hera e parë që serbët e Eriut dalin të votojnë në mënyrë masive, duke ua caktuar edhe orën se kur duhet të paraqiten tek qendrat e votimit”, ka deklaruar Burjani.
Në fund, Burjani ka drejtuar kritika edhe ndaj Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), duke vënë në pah mungesën e reagimit institucional.
“KQZ as më herët nuk iu ka tërhequr vërejtjen së paku Listës Serbe se nuk duhet votim dhe votë të aranzhuar”, ka thënë Burjani.
Burimi: botasot.info


