Pas akuzave të rënda për dhunë fizike dhe psikologjike, aktorja e njohur Denise Richards ka marrë një urdhër ndalimi nga gjykata ndaj bashkëshortit të saj, Aaron Phypers, me të cilin ndodhet aktualisht në proces divorci.
Ylli i filmit “Wild Things” ka paraqitur në gjykatë një sërë incidentesh shqetësuese, duke përfshirë edhe kërcënime të Phypers se do të dëmtonte veten dhe atë nëse ajo do të njoftonte policinë.
Në dëshminë e saj tronditëse, të siguruar nga Page Six, Richards përshkruan në detaje dhunën që thotë se ka përjetuar gjatë marrëdhënies me të: “Gjatë lidhjes sonë, Aaron më ka zënë shpesh për fyti me forcë, më ka shtrënguar kokën me të dyja duart, më ka kapur fort për krahësh, më ka qëlluar me shuplaka në fytyrë dhe kokë, dhe në disa raste më ka përplasur kokën pas mbajtësit të peshqirëve në banjë”, thuhet në dokumentet gjyqësore.
Richards (54), e njohur gjithashtu për pjesëmarrjen e saj në reality show-n “Real Housewives of Beverly Hills”, thotë se Phypers (52) i kishte shkaktuar një nxirje në sy që në vitin 2022. Sipas saj, incidenti kishte ndodhur në vendin e punës së Phypers në Malibu, kur ai u bë paranojak, duke besuar se bimët që kishte blerë përmbanin pajisje përgjimi. Në atë moment, ai e kishte quajtur “kurvë e mallkuar” dhe e kishte goditur me shuplakë në sy.
Në një tjetër rast të përmendur në dosjen gjyqësore, Phypers dyshohet se ishte zemëruar dhunshëm kur Denise i kishte sugjeruar që të mos e shoqëronte në një udhëtim pune. “Më kapi për flokësh dhe më rrëzoi në tokë duke bërtitur: ‘Nuk do ta anulosh fluturimin tim, do vij me ty – nuk të besoj’.” Richards ka bashkangjitur edhe fotografi me shenja në fytyrë, për të cilat pretendon se janë pasojë e sulmeve të tij.
Gjykata i ka urdhëruar Phypers-it të qëndrojë të paktën 91 metra larg Denise Richards-it, shtëpisë së saj, veturës dhe pronës. Ai, nga ana tjetër, i ka mohuar kategorikisht të gjitha akuzat. Në një deklaratë për Us Weekly, ai është shprehur se pretendimet “nuk janë të vërteta” dhe “janë të trilluara”, duke shtuar me vetëbesim: “Unë kam provat e duhura”.
Këto akuza tronditëse kanë dalë në publik më pak se dy javë pasi Phypers, pas gjashtë vitesh martesë, paraqiti kërkesën për divorc. Si datë ndarjeje ka caktuar 4 korrikun dhe si arsye ka deklaruar “mosmarrëveshje të pakapërcyeshme”. Ai po kërkon gjithashtu mbështetje financiare (alimentacion) nga gjykata.
Një burim i afërt me çiftin ka thënë për DailyMail se ndarja e tyre ishte vetëm çështje kohe, pasi marrëdhënia ishte bërë “toksike” dhe përplot me konflikte të vazhdueshme. “Problemet kanë nisur prej kohësh, por pika kulmore ishte një përplasje e ashpër gjatë fundjavës, pas së cilës ai kërkoi divorcin”, tha burimi.
Çifti u martua në shtator të vitit 2018 dhe vetëm disa ditë pasi Phypers paraqiti kërkesën për divorc, ai është parë në publik pa unazën e martesës.
Burimi: botasot.info