Menaxherja e barit të resortit zviceran ku 40 persona humbën jetën nga një zjarr shkatërrues dyshohet se është parë duke u larguar me një arkë plot me para në dorë, ndërsa zjarri përfshiu të gjithë ndërtesën.
Jessica Moretti, 40 vjeçe, akuzohet se ka braktisur klientët dhe është larguar me të ardhurat e mbrëmjes, ndërsa flakët vdekjeprurëse përfshinë lokalin Le Constellation në qytetin e skive Crans-Montana. Ajo është bashkëpronare e barit së bashku me bashkëshortin e saj, Jacques Moretti, 49 vjeç.
Autoritetet zvicerane kanë nisur ndaj tyre një hetim penal formal. Çifti përballet me akuza për vrasje nga pakujdesia, plagosje nga pakujdesia dhe zjarrvënie nga pakujdesia. Media evropiane raportojnë se ndaj Morettit mund të ngrihen edhe akuza shtesë, përfshirë “mosdhënie ndihme personave në rrezik”.
Sipas raportimeve, dhjetëra persona po përpiqeshin të largoheshin dhe kërkonin ndihmë në momentin kur Moretti dyshohet se u pa duke ikur nga lokali. E përditshmja franceze Nice Matin shkruan se pamjet e kamerave të sigurisë e tregojnë atë duke u larguar me arkën e barit, pavarësisht se kishte pësuar një dëmtim në krah. Edhe gazeta italiane La Repubblica raportoi se prioriteti i saj ishte të shpëtonte “arkën me të ardhurat e mbrëmjes”.
Familjet e viktimave dhe të të plagosurve kanë paraqitur padi penale pranë prokurorisë zvicerane. Avokati Romain Jordan konfirmoi se të gjitha familjet janë pranuar si palë paditëse, duke theksuar se padia është “kundër të gjithë atyre që mbajnë përgjegjësi, pa përjashtim”.
Moretti dhe bashkëshorti i saj akuzohen gjithashtu për shkatërrim provash, pasi dyshohet se kanë bllokuar llogaritë e barit në rrjetet sociale menjëherë pas zjarrit. Sipas avokatit Jordan, faqet në Facebook dhe Instagram u pezulluan mes orës 03:00 dhe 06:30 të mëngjesit, ndërkohë që operacionet e shpëtimit ishin ende në zhvillim.

Policia po heton gjithashtu punimet e rinovimit të kryera në vitin 2015, pas dyshimeve për standarde të pamjaftueshme sigurie. Hetimi do të përqendrohet në funksionimin e daljeve të emergjencës, aparateve për fikjen e zjarrit dhe pajisjeve të tjera të sigurisë. Një ish-kamariere ka deklaruar se dalja e emergjencës ishte gjithmonë e mbyllur.
Zjarri konsiderohet një nga katastrofat më të rënda në historinë e fundit të Zvicrës dhe ka shkaktuar një valë zie kombëtare. Autoritetet kanë njoftuar se vendi do të mbajë një ditë zie këtë javë.
Top Channel
Burimi: top channel


