deshmia per betejen gjysmeoreshe te familjes jashari dhe deshtimi i forcave serbe 697229ba4cdf0

Dëshmia për betejën gjysmëorëshe të familjes Jashari dhe dështimi i forcave serbe

January 22, 2026
min lexim

Ishte ende errësirë kur mëngjesi i 22 janarit 1998 u thye nga krismat e armëve në Prekaz. Njësitë speciale serbe, të organizuara dhe të armatosura rëndë, u afruan drejt shtëpisë së familjes Jashari nga dy drejtime, nga rruga dhe përmes arave, me një qëllim të vetëm eliminimin e kësaj familjeje pa lënë gjurmë. Ky ishte sulmi i dytë ndaj Jasharajve, më shumë se gjashtë vjet pas përpjekjes së parë.

Ciceroni i kompleksit memorial “Adem Jashari” në Prekaz, Ilmi Halimi në një rrëfim për KosovaPress tregon se çka ndodhi në mëngjesin e 22 janarit 1998.

Ai thotë se komandanti legjendar, Adem Jashari në ditën e këtij sulmi në ndodhej në shtëpi, por familja Jashari përsëri rezistoi dhe mbrojti vetveten.

Halimi: Familja Jashari arriti ta mbroj vetën edhe për herë të dytë

“Sulmi që ka ndodhur me 22 janar të vitit 1998 në familjen Jashari ishte sulmi i dytë në këtë familje. Pothuajse më shumë se 6 vite pas sulmit të parë që kish ndodhur në fund, 30 dhjetor të 91-ës. Atëherë forcat serbe me njësi speciale u munduan që ta eliminojnë familjen Jashari pa u bërë bujë e madhe. Mirëpo, familja Jashari, edhe pse vetë Adem Jashari nuk ishte në shtëpi, mirëpo ishin pjesa tjetër e familjes, arriti që ta mbrojë vetveten, familjen e tyre, por njëkohësisht edhe tregoi rezistencën jo vetëm për familjen e tyre edhe për Prekazin, por për gjithë popullin shqiptar”, tha ai.

Sulmi ndaj familjes Jashari i cili nisi në 5 të mëngjesit u rezistua në njërën anë nga Shaban Jashari, së bashku me nipa të cilët mbrojtjen pjesën e poshtme të shtëpisë, ndërsa Hamza Jashari, me gra dhe vajza të familjes, qëndroi në mbrojtje të pjesës tjetër.

Për rreth gjysmë ore, shtëpia u shndërrua në një vatër qëndrese, duke ua bërë të pamundur forcave serbe hyrjen brenda.

Halimi: Sulmi i dytë kundër Jasharajve nisi në 5 të mëngjesit

“Sulmi ka ndodhur diku pas orës 5, në mëngjes herët, ku njësitë e njësisë speciale serbe dalin nga fabrika e municionit edhe sulmojnë familjen në dy drejtime: nga rruga edhe nga arat lart. Duke menduar që nga dy anët të futen në shtëpi edhe t’i eliminojnë. Mirëpo familja u mbrojt sepse i hetuan më herët. Baca Shaban, babai i Adem Jasharit, me nipa, nga oda e burrave kjo poshtë, luftoi edhe e mbrojti nga kjo pjesë. Kurse Hamza, vëllai i Adem Jasharit, me vajza e gra të familjes luftoi edhe e mbrojti pjesën tjetër të familjes. Beteja zgjati diku rreth gjysmë ore. Filluan të kenë kriza serbët edhe nga jashtë, edhe serbët meqenëse rezistenca ishte shumë e fortë në familje, e panë që është e pamundur me u fut brenda, u tërhoqën. Ku si pasojë e kësaj beteje u plagosën dy vajza edhe u vranë disa kafshë në familje. Mirëpo nuk pati viktima në njerëz, fatbardhësisht, edhe forcat serbe dështuan”, deklaroi Halimi.

Në sulmin e dytë të forcave serbi ndaj familjes Jashari në janarin e vitit 1998 la të plagosura dy vajza të familjes Jashari, Slevetja e cila më pas sfidë në sulmin e tretë dhe Iliriana e cila në sulmin e 5,6 e 7 marsit nuk ishte në shtëpi dhe mbeti e gjallë.

Halimi: Në sulmin e dytë mbetet të plagosura Iliriana dhe Selvetja

“Vajzat të cilat janë plagosur në familje është Iliriana e Rifatit edhe Selvetja e Hamzës, e cila fatkeqësisht në sulmin e tretë që ndodhi me 5, 6 dhe 7 mars po të vitit ’98 ra dëshmore. Kurse Iliriana fatbardhësisht në sulmin e tretë nuk ka qëllua këtu në shtëpi, te daja e saj, edhe sot është në jetë”, u shpreh ciceroni.

Ciceroni i kompleksit memorial “Adem Jashari” në Prekaz, Ilmi Halimi tregon se ky kompleks memorial mbetet një pikë referimi për brezat e rinj dhe për vizitorë të shumtë, me dhjetëra mijëra njerëz që e vizitojnë çdo muaj, veçanërisht gjatë verës dhe datave të shënuara kombëtare.

Vetëm gjatë vitit 2025 , sipas të dhënave orientuese, Kompleksi Memorial “Adem Jashari” u vizitua nga mbi gjysmë milioni qytetarë.

Halimi: Mbi 500 mijë vizitorë e vizituan Kompleksin Memorial në vitin 2025

“Këtu vizitat nuk ndalen asnjëherë. I falënderojmë të gjithë që na vizitojnë ne. Çdo ditë kemi vizitorë. Herë më shumë, herë më pak, varësisht prej kohës, prej rrethanave. Mirëpo kur kemi vizitorë më së shumti, përveç datave të shënuara, janë edhe stina e verës, sidomos korrik-gusht, ku numri shkon mbi 100 mijë vizitorë brenda muajit. Po kemi edhe ditë të tjera siç janë tash shkurti, që është dita e pavarësisë në këtë muaj, edhe vijnë shumë, përveç vizitorëve të tjerë, edhe shkolla të ndryshme, për një lloj parapërgatitje për arsimin që kanë…Sipas statistikave që kemi mujt me i nxjerrë, edhe pse është gati e pamundur me dit saktësisht, diku ka qenë 582 mijë vizitorë vitin 2025”, theksoi ai.

Sulmi i tretë dhe përfundimtar ndaj familjes Jashari, më 5, 6 dhe 7 mars 1998, i cili zgjati 3 ditë dhe mbetën të vrarë 58 anëtarë të familjes Jashari, në mesin e tyre komandanti legjendar, Adem Jashari, Hamzë Jashari, vëllai i tij, Shaban Jashari, babai i familje, gra, fëmijë dhe të moshuar të familjes.

E vetmja e mbijetuar nga familja ishte Besarta Jashari, vajza e Hamzës, e cila në atë kohë ishte e mitur.

Burimi: botasot.info

VERO JUMBO MACEDONIA

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

probleme nga reshjet e debores ne gjirokaster bllokohen rruget malore 6972292d2f5bb
Lajmi i mëparshëm

Probleme nga reshjet e dëborës në Gjirokastër, bllokohen rrugët malore

sulm ne australi autori ne arrati qytetaret urdherohen te qendrojne brenda 697229bc80a55
Lajmi i radhës

Sulm në Australi/ Autori në arrati, qytetarët urdhërohen të qëndrojnë brenda

Të fundit nga

ShkoLartë