Drejtori aktual i Klinikës së Neurologjisë, Fatmir Mexhiti, në të njëjtën kohë që ka drejtuar këtë institucion publik shëndetësor, ka qenë edhe i angazhuar me honorar në Ministrinë e Shëndetësisë, e cila përndryshe e ka emëruar atë drejtor, ndërsa honorari mujor i tij ka qenë 60 mijë denarë, tregojnë dokumentet me të cilat disponon “Sloboden Peçat”. Nga kontrata nuk mund të kuptohet se çfarë pune ka kryer Mexhiti për këtë honorar, por mund të kuptohet se detyrat e punës për Ministrinë e Shëndetësisë ka qenë i obliguar t’i kryejë çdo ditë. Të dhënat nga “financat e hapura” tregojnë se paratë nga Ministria i janë transferuar çdo muaj, në shumë prej 1.000 euro, deri në dhjetor të vitit 2024.

Kontrata në vepër e lidhur mes Fatmir Mexhitit dhe Ministrisë së Shëndetësisë së udhëhequr në atë periudh nga Arben Taravari ka zgjatur nga 8 korrik 2024 deri më 31 dhjetor 2024. Gjatë kësaj periudhe, ai ka pasur detyra që ka qenë i obliguar t’i kryejë për Ministrinë e Shëndetësisë çdo ditë, pavarësisht se çdo ditë ka pasur detyra pune edhe në Klinikën e Neurologjisë, të cilën e ka drejtuar dhe vazhdon ta drejtojë deri më sot. Kontrata është lidhur menjëherë pasi ministër i Shëndetësisë u bë Arben Taravari, bashkëpartiak dhe mik personal i Fatmir Mexhitit. Në periudhën kur Taravari ka qenë ministër, të paktën dy persona të lidhur familjarisht me Fatmir Mexhitin gjithashtu kanë lidhur kontrata me Ministrinë e Shëndetësisë për të kryer detyra pune të brendshme me kohë të caktuar, tregojnë dokumentet me të cilat disponojmë.
Burimi: sloboden peçat


