departamenti i shtetit te shba se terheq mbi 250 mije viza ne nje fushate historike te administrates trump 6abe65b22ea95

Departamenti i Shtetit të SHBA-së tërheq mbi 250 mijë viza në një fushatë historike të administratës Trump

October 1, 2026
min lexim

Departamenti i Shtetit të Shteteve të Bashkuara ka tërhequr më shumë se 250 mijë viza që nga fillimi i mandatit të presidentit Donald Trump, në kuadër të një fushate të gjerë për forcimin e kontrollit të imigracionit dhe rritjen e verifikimeve për personat që lejohen të hyjnë në vend.

Kjo shifër shënon një nivel historik dhe pasqyron qasjen agresive të administratës ndaj atyre që shkelin kushtet e qëndrimit ose përbëjnë rrezik për sigurinë kombëtare.

Sipas një zyrtari të Departamentit të Shtetit, vizat janë tërhequr për arsye të ndryshme, si shkelja e kushteve të vizës, kryerja e veprave penale, thirrjet për dhunë ndaj SHBA-së ose amerikanëve, mashtrimet ndaj qytetarëve amerikanë, abuzimi me sistemin e imigracionit dhe kërcënimet ndaj sigurisë kombëtare.

Ndër to përfshihen edhe 2.300 viza të lidhura me “turizmin e lindjes”, praktikë në të cilën shtetase të huaja shtatzëna udhëtojnë në SHBA posaçërisht për të lindur fëmijën dhe për t’i siguruar atij shtetësinë automatike.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tommy Pigott, theksoi se kjo është një arritje e rëndësishme:

“Nën presidentin Trump dhe sekretarin Rubio, Departamenti i Shtetit ka tërhequr tashmë më shumë se 250 mijë viza, një nivel historik që reflekton angazhimin tonë të palëkundur për mbrojtjen e popullit amerikan. Çdo vendim për vizë është një vendim për sigurinë kombëtare. Përmes verifikimeve të vazhdueshme në një shkallë të paparë, ne po identifikojmë dhe largojmë ata që kryejnë krime, mbështesin terrorizmin, mashtrojnë amerikanët ose abuzojnë me sistemin tonë të imigracionit. Një vizë amerikane është privilegj, jo e drejtë – dhe nëse e shkelni këtë privilegj, do ta humbni. Nuk do të ndalemi derisa çdo i huaj që kërcënon sigurinë e komuniteteve tona të mbahet përgjegjës.”

Fushata nuk është e kufizuar vetëm te shkeljet individuale. Të hënën, Departamenti i Shtetit tërhoqi vizat e 27 zyrtarëve, ish-zyrtarëve dhe familjarëve të tyre nga Bolivia, Kolumbia, Ekuadori dhe Peruja, për akuza për korrupsion.

Më herët gjatë verës, administrata filloi përgatitjet për të tërhequr deri në 200 mijë viza biznesi dhe turistike (B1 dhe B2), të lëshuara mes viteve 2016 dhe 2026, për persona që më pas kërkuan azil.

Zëvendëssekretari i Shtetit, Christopher Landau, deklaroi se amerikanët janë “të mërzitur” nga “kërkesat e rreme për azil”, duke theksuar se azili duhet të jetë një strehë e ngushtë për të përndjekurit politikë, për shkak të racizmit ose përkatësisë fetare, dhe jo një rrugë anësore për të anashkaluar ligjet e imigracionit.

Në muajin gusht, Departamenti kishte tërhequr tashmë mbi 175 mijë viza. Shumica e tyre ishin për shkak të kontaktit me organet e zbatimit të ligjit për veprimtari kriminale, ku dominonin sulmet, shkeljet e ligjeve, vjedhjet, si dhe krimet e lidhura me prostitucionin, drogën dhe trafikun ilegal.

Një pjesë e rëndësishme e masave përfshinte edhe rastet e sulmeve seksuale, abuzimit të fëmijëve, mashtrimeve dhe përvetësimeve.

Kjo politikë e ashpër pasqyron prioritetin e administratës Trump për të forcuar kontrollin kufitar dhe për të siguruar që vizat t’u jepen vetëm atyre që respektojnë ligjet dhe vlerat amerikane.

Ambasada amerikane në Tiranë ka konfirmuar se e njëjta qasje vlen edhe për shtetasit shqiptarë.

Vizat do të anulohen vetëm në rastet kur ka rrezik për sigurinë publike, kryerje veprash penale ose shkelje të kushteve të vizës. Kurse për personat që nuk përfshihen në problemet e lartpërmendura, dhënia e vizave do të vazhdojë.

Departamenti thotë se nuk ka publikuar shifra specifike për shqiptarët në SHBA lidhur me vizat e anuluara, duke theksuar konfidencialitetin, por tha se po zbaton një politikë të tolerancës zero, pa dallim kombësie.

Burimi: botasot.info

VERO

EVN MACEDONIA

MATINA DENTAL CLINIC

AUTO SHKOLLA BEKO

takimi i ministrave te jashtem te procesit te berlinit hoxha procesi i zgjerimit pergjigja per nje evrope me te qendrueshme 6abe6551b54d9
Lajmi i mëparshëm

Takimi i Ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlinit/ Hoxha: Procesi i zgjerimit, përgjigja për një Evropë më të qëndrueshme

jo ne emrin tim ilir shaqiri publikon tekstin e kenges per clirimtaret 6abe668831115
Lajmi i radhës

​“Jo në emrin tim”, Ilir Shaqiri publikon tekstin e këngës për çlirimtarët

Të fundit nga

ShkoLartë